Mjekët paralajmërojnë se anemia po kthehet në një krizë globale: 1 në 3 gra vuajnë nga mungesa e hekurit

Aktualitet

Mjekët paralajmërojnë se anemia po kthehet në një

Një studim i fundit i publikuar në “The Lancet Haematology”, i udhëhequr nga Dr. Ashley Benson dhe Dr. Jamie Lo në Universitetin e Shëndetit dhe Shkencës në Oregon, zbulon një problem alarmant: një në tre gra vuan nga mungesa e hekurit, duke e bërë atë mungesën më të përhapur të një lënde ushqyese në botë.


Hekuri është thelbësor për prodhimin e energjisë, zhvillimin e trurit dhe funksionimin e sistemit imunitar. Kur nivelet e tij bien, pasojat janë të shumta dhe serioze. Mungesa e hekurit çon në anemi, një gjendje që ndikon direkt në oksigjenimin e trupit dhe mund të shkaktojë lodhje ekstreme, lëkurë të zbehtë, rrahje të shpejta zemre, e madje edhe komplikime në shtatzëni dhe zhvillimin e fëmijëve.


Sipas OBSH-së, anemia prek:
• 31% të grave në moshë riprodhuese
• 36% të grave shtatzëna
• 40% të fëmijëve nën 5 vjeç


Shkaktarët e mungesës së hekurit nuk janë vetëm dieta e varfër në lëndë ushqyese. Inflamacionet kronike, obeziteti dhe gjendje të tjera mjekësore mund të pengojnë përthithjen e hekurit në trup. Veçanërisht gratë me cikël menstrual dhe shtatzënat kanë nevoja të shtuara për hekur, që shpesh nuk plotësohen.



Studiuesit ngrenë alarmin edhe për faktin se mungesa e hekurit shpesh neglizhohet. Ata rekomandojnë matjen e ferritinës – një proteinë që tregon rezervat e hekurit në trup – për një diagnostikim të saktë.


Për trajtim, suplementet orale të hekurit janë të parat që rekomandohen. Por kur këto nuk tolerohen mirë apo nuk funksionojnë, hekuri intravenoz mund të jetë i nevojshëm. Ekspertët theksojnë se trajtimi i mungesës së hekurit nuk duhet të jetë rastësor, por pjesë e kontrolleve rutinë te gratë dhe fëmijët.


Mjekët bëjnë thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim urgjent, pasi anemia nga mungesa e hekurit nuk është thjesht një problem personal – por një kërcënim serioz për shëndetin publik global.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion