Ministria e Mbrojtjes, për situatën më të fundit të ZJARREVE në vend: 5 vatra ende aktive!

Ministria e Mbrojtjes: Situata e përditësuar deri në orën 20:00 të mbrëmjes së 19 gushtit
Pesë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit, ndërsa dy të tjera janë vendosur nën monitorim.
Në terren janë angazhuar rreth 130 forca operacionale vendore, ndërsa Forcat e Armatosura po mbështesin operacionet me 90 efektivë dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat aktive raportohen në Dajt dhe Priskë në Tiranë, Lufaj në Mirditë, Tërbun-Gojan në Pukë dhe Shashicë në Selenicë.
Në Dajt operacioni po vijon me 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 forca të MZSH-së dhe 5 të AZM-së. Në Priskë vijojnë të jenë të angazhuara strukturat e MZSH-së. Sipas autoriteteve, në të dyja zonat nuk paraqitet rrezik për banesat.
Në Lufaj, zjarri vijon me intensitet të ulët. Në operacion janë angazhuar Shërbimi Pyjor dhe MZSH-ja, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Situata më e ndjeshme paraqitet në Tërbun-Gojan, ku erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e flakëve. Forcat operacionale vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa MZSH-ja është përqendruar veçanërisht në mbrojtjen e banesave. Edhe në këtë zonë, deri në orën 20:00, nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për zonat e banuara.
Ndërkohë, në Gurë-Lurë zjarri është shuar dhe zona vijon të monitorohet. Në Qafë Helmes, vatra është izoluar, ndërsa forcat lokale vijojnë punën për stabilizimin e plotë të situatës.
Strukturat e Mbrojtjes Civile dhe ekipet operacionale po vijojnë ndërhyrjet në të gjitha zonat e prekura, me fokus mbrojtjen e banorëve dhe banesave, si dhe izolimin e plotë të vatrave aktive.


