Ministri i Jashtëm iranian: Përgjigje vendimtare ndaj çdo sulmi nga SHBA-të ose Izraeli

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka dërguar një mesazh të ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, duke paralajmëruar se Teherani do të reagojë me vendosmëri ndaj çdo veprimi agresiv.
Deklaratat e tij u bënë pas disa bisedave telefonike me homologun turk, ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, si dhe me komandantin e ushtrisë së Pakistanit.
Në një reagim të publikuar në Telegram, Araghchi tha se Irani do t’i përgjigjet çdo veprimi që e konsideron kërcënues nga ana e Shteteve të Bashkuara.
“Teherani është i gatshëm të japë një përgjigje vendimtare ndaj çdo veprimi agresiv”, deklaroi ministri i Jashtëm iranian.
Gjatë bisedës me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Araghchi theksoi se çdo sulm nga SHBA-ja dhe Izraeli, apo çdo përfshirje e vendeve të rajonit në një veprim të tillë, do të përballet me një “përgjigje vendimtare dhe proporcionale”.
Biseda me homologun turk, në fokus negociatat
Më herët, ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij iranian.
Sipas deklaratës së Fidanit, në qendër të diskutimit ishin zhvillimet e fundit në procesin e negociatave që lidhen me uljen e tensioneve dhe përfundimin e përplasjeve në rajon.
“Turqia do të vazhdojë përpjekjet e saj për t’i dhënë fund konflikteve në rajonin tonë dhe për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme”, deklaroi ministri i Jashtëm turk.
Tensionet mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit vijojnë të mbeten të larta, ndërsa përpjekjet diplomatike po vazhdojnë për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm në rajon.