‘Meta kërkoi 200 mijë euro’, reagon ish-presidenti: SMS e fabrikuar nga SPAK, nuk kam dërguar një mesazh të tillë

Për herë të parë, Ilir Meta ka bërë një reagim mbi publik mbi lajmin se SPAK ka arritur të zbulojë një mesazh ku ish-presidenti kërkon 200 mijë euro në kuadër të aferës CEZ-DIA të dyshuar nga prokurorët e Posaçëm.
Në reagimin e tij, Meta thotë se “dua t’ju siguroj se ‘eurot’ ekzistojnë vetëm në dëshirën dhe imagjinatën e prokurorëve”.
“Është e qartë se edhe në fabrikimin e një “sms” të tillë të pretenduar, nuk ka as euro, as dollarë, as lekë dhe as fletëpalosje, apo postera, meqënëse mesazhi i pretenduar koinçidon me Qershorin 2009 para zgjedhjeve parlamentare kur unë kam qenë thjesht një deputet opozitar dhe pa asnjë funksion qeveritar.
Po kështu, çuditërisht nga pala marrëse e kësaj “sms” nuk ka asnjë përgjigje apo reagim (!!!)
Ndërkohë që nuk ka asnjë garanci se kjo “sms” është dërguar nga unë”,- shkruan Meta.
Ish-presidenti, i cili ndodhet në paraburgim prej më shumë se 1 viti, këmbëngul sërish për transmetimin e drejtpërdrejt të seancave gjyqësore të çështjes së tij në Gjykatën e Posaçme. Ai argumenton se arsyeja kryesore pse e kërkon këtë është përthyerja e asaj çfarë ndodh vërtetë në seancë, nga një pjesë e gazetarëve.
“Arsyeja kryesore pse unë kam kërkuar që gjyqi ndaj meje të jetë live për të gjithë të interesuarit është jo vetëm i mbështetur në Kushtetutë, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe legjislacionin tonë, por sidomos në faktin se siç ju e dini më mirë se unë, mbi 90% e televizioneve dhe portaleve kontrollohen nga Qeveria Rama dhe gazetarët raportojnë pas gjyqit sipas direktivave të pronarëve, nën diktatin e zyrës së propagandës gëbelsiane të Edi Ramës, me qëllim çoroditjen e opinionit publik dhe shndërrimin e gënjeshtrave në “fakte” apo “prova” kundër opozitarëve, për të legjitimuar farsat gjyqësore, jo vetëm të urdhëruara nga Asambleja e PS-së, por edhe të iniciuara nga Edi Rama, që nga kallëzuesit e deri te hetimet, i cili siç dihet komandon edhe gjykatat.
Ndaj edhe gjykata nuk e pranoi kërkesën tonë duke iu referuar një neni të Konventës Europiane, që nuk e lejon transmetimin live të gjykimit kur është kundër vetë i pandehuri.
Ndërkohë, që rasti ynë, është krejt i kundërt sepse i pandehuri insiston dhe kjo ka bazë të qartë ligjore sepse asnjë nga çështjet nuk ka lidhje me sigurinë kombëtare”,- thotë Meta.


