"Mbaji, që të kesh para"/ Zbulohen detaje të reja nga vr'asja e shqiptares në Athinë, autori i la 1 mijë euro para kri'mit

Detaje të reja kanë dalë në dritë për lëvizjet e 48-vjeçarit para se të vriste 45-vjeçaren shqiptare në Nea Smyrni dhe më pas t’i jepte fund jetës.
Sipas informacioneve të mediave greke, para se të largohej nga banesa, ai i la bashkëshortes 1 mijë euro dhe i tha: “Mbaji, që të kesh para”. Më pas shkoi në Nea Smyrni, ku kreu vrasjen dhe u vetëvra.
Bashkëshortja e 48-vjeçarit, e cila është marrë në pyetje nga policia, ka deklaruar se prej rreth 18 muajsh kishte vënë re një ndryshim të rëndësishëm në sjelljen e tij. Ajo ka treguar se ai mungonte shpesh në shtëpi dhe disa net nuk flinte aty, ndërsa ajo nuk e dinte se ku qëndronte. Sipas dëshmisë së saj, gruaja kishte frikë prej tij.
Ndërkohë, viktima i kishte rrëfyer motrës së saj se kishte pasur një lidhje me një burrë, por kishte vendosur t’i jepte fund për shkak të xhelozisë së tij. Sipas dëshmisë, ai vazhdonte të insistonte për të vijuar marrëdhënien, ndërsa 45-vjeçarja i kishte thënë se kishte frikë.
Natën e krimit, ajo ndodhej e vetme në banesë, pasi vajza e saj ishte larguar drejt Agrinios me xhaxhain.
Kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentet e krimit dhe janë kthyer në një prej provave kryesore të hetimit. Sipas pamjeve, 48-vjeçari dyshohet se ka pritur jashtë banesës së 45-vjeçares.
Kur ajo ka dalë nga shtëpia, ai e ka qëlluar me armë dhe më pas ka drejtuar revolen ndaj vetes, duke kryer vetëvrasje. Arma dyshohet se mbahej prej tij në mënyrë të paligjshme.
Autoritetet greke po hetojnë edhe të kaluarën e 48-vjeçarit në Shqipëri. Ai ishte arrestuar në Tiranë në vitin 2016, nën akuzën për përdhunimin e bashkëshortes së tij.
Ndërkohë, policia po analizon edhe pajisjet elektronike të viktimës dhe autorit për të zbuluar komunikime apo të dhëna të tjera që mund të hedhin dritë mbi marrëdhënien mes tyre dhe ngjarjet që i paraprinë krimit.


