Mashtrim online në emër të Policisë së Shtetit / Paralajmërim për qytetarët: Kujdes me linket dhe mesazhet e rreme

Policia e Shtetit njofton qytetarët për një skemë mashtrimi online, ku autorë të paidentifikuar kanë krijuar faqe interneti të rreme, të ngjashme me faqen zyrtare të institucionit, me qëllim përfitimin e paligjshëm financiar.
Sipas Policisë, këto faqe shpërndahen përmes mesazheve SMS dhe adresave të maskuara email, duke u paraqitur në mënyrë të rreme si njoftime zyrtare për pagesën e gjobave të qarkullimit rrugor, kryesisht për tejkalim shpejtësie.
Autoritetet sqarojnë se këto mesazhe NUK janë dërguar nga institucionet shtetërore. Mashtruesit përdorin teknika të sofistikuara për t’i orientuar qytetarët drejt faqeve të rreme, ku u kërkohet të vendosin të dhënat bankare.
Qëllimi i kësaj skeme është vjedhja e të dhënave bankare dhe përvetësimi i fondeve nga llogaritë e qytetarëve.
Policia e Shtetit apelon për kujdes maksimal:
Mos klikoni në linke të dyshimta të ardhura përmes SMS apo platformave të tjera;
Mos vendosni asnjëherë të dhënat bankare në faqe të pa verifikuara;
Verifikoni çdo gjobë vetëm përmes kanaleve zyrtare.
Qytetarët mund të kontrollojnë gjobat vetëm në platformat zyrtare të Policisë së Shtetit.


