"Lironi Berishën", Balla: Flisni për korrupsionin, por mbani veshur fytyrën e tij

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka kritikuar deputetët e opozitës, të cilët u paraqitën në Kuvend me bluza të stampuara me foton e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe fjalët “Lironi Berishën”.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla tha se është qesharake që të vini në këtë vend dhe të flisni për luftën kundër korrupsionit, duke mbajtur në gjoks një person të akuzuar për korrupsion.
“Duket më shumë se qesharake që të jesh në Kuvend dhe të flasësh për luftën kundër korrupsionit, duke mbajtur në gjoks një person të akuzuar për korrupsion. Një qytetar që të sheh nga televizori, sheh një person të akuzuar për korrupsion.
Nuk kam folur prej muajsh për këtë çështje dhe nuk më takon të flas edhe për shkakun se jam personi që kam ngritur kallëzimin për këtë rast”,- tha Balla.
Sipas Ballës, prezenca e këtyre deputetëve seancën plenare është fyerje, ndërsa shtoi se i kupton veprimet e tyre pasi e bëjnë në shenjë mirënjohje duke menduar se janë borxhli ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Gjithashtu, ai i tërhoqi vëmendje edhe drejtuesvë të Kuvendit, për lejimin e një gjëje të tillë, pasi sipas tij Kuvendi ka një kod etike dhe deputetët e pranishëm duhet ta respektojnë, përfshirë këtu edhe veshjen, përdundoi ai.
“Por, minimalisht, edhe një sugjerim në formë kritike për drejtuesit e Kuvendit. Kuvendi ka një kod etike, ku deputetët duhet ta respektojë dhe me veshjen.
Do ta quaja fyerje prezencën e disave prej juve këtu. Jam i bindur se e bëni në shenjë mirënjohje sepse mendoni se ia keni borxh Saliut që jeni në këtë sallë. Ta veshësh Luan dhe ta vesh dhe mbi kokë. Por kursejani qytetarëve këtë. Dhe mund ta bëni çdo ditë poshtë ballkonit. Ju kam parë dhe te protestat tuaja te bashkia dhe nuk ia gjej kuptimin pse duhet të shkoni te bashkia me bluzat ‘lironi Saliun”,- tha ministri i Brendshëm Taulant Balla.

