Lejoi nxjerrjen e naftës nga anija e sekuestruar kundrejt 10 mijë eurove, AMP arreston punonjësin e Policisë!

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar një punonjës policie dhe ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë.
Arrestimi i punonjësit të patrullës së përgjithshme të Policisë dhe shpallja në kërkim e dy peronave është bërë për arsye se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 27 janar, rreth orës 15:00, ata kanë bërë nxjerrjen e një sasie të konsiderueshme nafte nga Anija “AYAZANOYBYA” me flamur të Tanzanisë, që ishte ankoruar dhe sekuestruar në Porto Romano, e cila ka qënë sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga Prokuroria Durrës.
Nga hetimet e kryera nga AMP dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në DVP Durrës ka rezultuar se punonjësi i policisë A. M., ka lejuar kundrejt pagesës prej 10,000 euro, të dhënë nga shtetasi J. K., nxjerrjen e sasisë së naftës të ndodhur në anije, në bashkëpunim me pjesëtarë të ekuipazhit.
Gjithashtu, në bashkëpunim janë kryer të gjitha veprimet proceduriale, duke përfshirë ri-këqyrjen e anijes, këqyrjen e pamjeve filmike në Porto Romano Durrës, marrje deklarimesh dhe marrjen e mostrave për ekspertim në të gjithë zonat e balastarve dhe ka rezultuar se sasia e naftës që ndodhej në këto hapësira në momentin e sekuestrimit (datë 12.01.2025) ishte zëvendësuar me ujë.
“Në vijim të veprimeve, janë proceduar në gjendje të lirë 7 shtetas, të dyshuar për “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë me pezullim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore”, “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”, si më poshtë;
L. K., 29 vjeç
F. I., 23 vjeç (shtetas sirian)
A. Sh., 22 vjeç (shtetas sirian)
S. Sh., 25 vjeç (shtetas sirian)
H. B., 47 vjeç (shtetas sirian)
S. B., 53 vjeç (shtetas egjyptian)
Ë. B., 42 vjeç (shtetas sirian)”, njofton AMP.


