Kush ishte gazetari Enrik Mehmeti, zëri i kronikës së Vlorës që u nda nga jeta pas aksidentit në Zvërnec

Aktualitet

Kush ishte gazetari Enrik Mehmeti, zëri i kronikës së Vlorës

Komuniteti i gazetarëve dhe qyteti i Vlorës  u tronditën mbrëmjen e djeshme pas ndarjes nga jeta të gazetarit Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident rrugor në zonën e Zvërnecit.

Mehmeti ishte një nga emrat më të njohur të gazetarisë lokale në Vlorë, ku për më shumë se dy dekada raportoi ngjarjet më të rëndësishme të qytetit, duke ndjekur nga afër zhvillimet e kronikës, aktualitetit dhe jetës sociale.

Rrugëtimi i tij profesional nisi në vitet e para pas emigrimit, kur punoi si përkthyes në kampin “Alba”, ndërsa më pas iu përkushtua gazetarisë, profesion që e ushtroi me pasion për mbi 20 vite.

Gjatë karrierës së tij ai bashkëpunoi me disa media kombëtare, duke u kthyer në një prej zërave më të besueshëm për raportimet nga Vlora.

Për kontributin e tij në gazetari dhe angazhimin në çështje sociale, Enrik Mehmeti u vlerësua ndër vite me çmime dhe mirënjohje, mes tyre edhe titulli “Personazhi i Vitit Vlorë 2015”.

Ai u dallua jo vetëm për ekskluzivitetet gazetareske, por edhe për ndjeshmërinë ndaj problemeve të komunitetit dhe gatishmërinë për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Kolegët e kujtojnë Enrik Mehmetin si një gazetar të përkushtuar, korrekt dhe gjithmonë të pranishëm në terren, i gatshëm të raportonte çdo zhvillim me profesionalizëm dhe përgjegjësi.

ME TE LEXUARAT