KPA shkarkon nga detyra gjyqtaren Ardiana Bera

Aktualitet

KPA shkarkon nga detyra gjyqtaren Ardiana Bera

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të martën më 20 maj vendimin për ndryshimin e vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Tiranës, Ardiana Bera, duke e shkarkuar atë për probleme të pasurisë.

Konfirmimi në detyrë i Berës nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 26 prill të vitit 2024, u ankimua nga institucioni i Komisionerëve Publikë për gjetje në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit. Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani që mori kompetencat e Komisionerëve Publikë, u përfaqësua në këtë çështje nga prokurori Adnan Xholi, i cili u qëndroi shkaqeve të ankimit duke vlerësuar se subjekti nuk ariti të provonte të kundërtën e shkaqeve të ankimit lidhur me gjetjet për një apartament me sipërfaqe 136.7 në Tiranë, për gjendjen cash, çeljen e një llogarie në emër të vajzës si dhe për profesinalizimin.

Gjatë leximit të vendimit të përmbledhur të martën, kryesuesja e trupit gjykues, Rezarta Schuetz deklaroi se Kolegji e ka gjetur të drejtë konkluzionin e Komisionerit Publik se Bera nuk ka pasur burime të mjaftueshme për kryerjen e pagesave për partamentin në Tiranë, si dhe për kursimet cash të deklaruara prej saj. Sipas KPA, subjekti nuk arriti të provojë burimin e ligjshëm të huasë 2 milionë lekë të marrë nga vëllezërit, e deklaruar si burim për krijimin e kësaj pasurie, pasi nuk u vërtetua vlera e të ardhurave nga emigracioni.

KPA, ashtu si Komisioneri, vlerësoi se subjekti nuk ka arritur të provojë mundësinë për krijimin e një llogarie në emër të vajzës, duke marrë në konsideratë dhe deklarimin e subjektit se si burim ka shërbyer shuma 1 milion lekë e dhuruar nga vëllezërit, që ka qenë pjesë e huasë 2 milionë lekë, për krijimin e të cilës u konkludua balancë negative.

Sipas Kolegjit, bilancet negative në disa vite në masën totale prej reth 3.1 milionë lekësh, e pamundësojnë zbatimit e parimit të proporcionalitetit. Për rrjedhojë çmohet se subjekti ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë.

Duke vlerësuar se konkluzioni për pasurinë është i mjaftueshëm për marrjen e vendimit dhe për ekonomi gjyqësore, trupi gjykues i Kolegjit nuk u shpreh lidhur me shkaqet e ngritura nga Komisioneri për aspektin profesional.

Në përfundim, Kolegji vendosi ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtares Ardiana Bera. Vendimarrja e Kolegjit është përfundimtare dhe ka efekt të menjëhershëm./BIRN

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion