Kosova rrethohet nga zjarret, 300 vatra brenda 3 ditëve, dyshohet të qëllimshme
Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME) të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Genc Metaj, ka deklaruar se situata e zjarreve në Kosovë është jashtë normales, me shumicën prej zjarreve që dyshohet se janë shkaktuar “nga dora e njeriut”.
Sipas të dhënave të AME-së, vetëm nga e premta deri më sot janë regjistruar 294 raste të zjarreve, ndërsa gjatë javës së parë të marsit ishin raportuar 57 raste të tjera.
Në një konferencë për media, Metaj tha se zjarret më të rrezikshme aktive janë në fshatra të Drenasit, Kamenicës dhe Malishevës.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Një nga shqetësimet kryesore të autoriteteve është se pothuajse të gjitha këto zjarre besohet se janë shkaktuar nga dora e njeriut
“Dyshimet tregojnë që janë të shkaktuara nga faktori njeri, përjashtimisht një rast që është në Novobërdë, i cili dyshohet të ketë qenë si shkak energjia elektrike. Në të gjitha dyshohet se [shkaktar] është faktori njeri”, tha Metaj.
Ai tha se është ende herët për të ditur se sa janë dëmet nga këto zjarre.
Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), gjatë vitit 2024 në Kosovë ishin regjistruar 94 zjarre, të cilat kishin djegur gjithsej 12.079 hektarë pyje dhe shkurre.
Si rezultat i zjarreve aktuale, Metaj tha se është rritur gatishmëria në nivel vendi dhe janë ndërmarrë hapa për patrullime të rregullta të zjarrfikësve në të gjitha komunat. Po ashtu, Policia e Kosovës është angazhuar për të intensifikuar patrullimet dhe hetimet për të ndëshkuar përgjegjësit.
Edhe pse Kosova ka 739 zjarrfikës aktivë, një numër që Metaj tha se konsiderohet i mjaftueshëm për situata normale, rastet e fundit kanë vënë në vështirësi operacionet e shuarjes së zjarreve.