Korçë/ 11 emigrantë në makina drejt Tiranës, policia “kap mat” dy 21-vjeçarët, tentuan të largoheshin

Aktualitet

Korçë/ 11 emigrantë në makina drejt Tiranës, policia

Dy operacione policore janë finalizuar në qarkun e Korçës, duke goditur një skemë të dyshuar të dhënies së ndihmës, kundrejt fitimit, për kalimin e paligjshëm të kufirit nga emigrantë të ardhur nga vendet e treta.

Në kuadër të operacioneve “Route 2” dhe “Qatromi” janë arrestuar dy 21-vjeçarë, ndërsa policia ka kapur gjithsej 11 emigrantë në dy raste të ndryshme.

Të arrestuarit dyshohet se po i transportonin emigrantët drejt Tiranës, kundrejt pagesës, ndërsa në të dyja rastet tentuan t’u largoheshin shërbimeve të Policisë.



“Qarku Korçë/Finalizohen dy operacione policore për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës, kundrejt fitimit, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit nga emigrantët që vijnë nga vendet e treta

1.Operacioni policor i koduar “Route 2”, i zhvilluar nga shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Korçë.

2.Operacioni policor i koduar “Qatromi”, si rezultat i një hetimi disajavor, të zhvilluar me metoda proaktive nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme pranë DVP Korçë.

-Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, gjatë operacionit policor të koduar “Route 2”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr. 6 Tiranë, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit M. Sh., 21 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas, u konstatua nga shërbimet e Policisë Kufitare në fshatin Tren, Devoll, ku, brenda automjetit, kishte 5 shtetas nga vendet e treta dhe nuk iu bind urdhrit të shërbimeve të Policisë për të ndaluar. Gjatë ndjekjes në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në fshatin Gurishtë, ky shtetas ka braktisur automjetin dhe ka mundur të largohet.

Pas disa orësh kërkimesh, 21-vjeçari është kapur nga shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 6 Tiranë.

-Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme pranë DVP Korçë, në bashkëpunim me F. P. “Shqiponja”, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, pas një pune hetimore të ndjekur me metoda proaktive dhe të bazuar në informacione operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Qatromi”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. D., 21 vjeç, banues në fshatin Libonik, Maliq.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas i ndihmonte shtetasit e huaj të strehoheshin në një ndërtesë të braktisur, në fshatin Qatrom, Korçë, dhe më pas bënte transportimin e tyre me automjet drejt Tiranës, kundrejt vlerës monetare.

Në momentin e konstatimit nga shërbimet e Policisë, ky shtetas nuk iu bind urdhrit të shërbimeve të Policisë dhe ka tentuar të braktisë automjetin, brenda të cilit u kapën 6 emigrantë nga vendet e treta. Shtetasi S. D. u kap disa metra larg automjetit nga shërbimet e Policisë.

Materialet procedurale për të dy operacionet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe ‘Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik’”, shkruan Policia.

 

 

ME TE LEXUARAT