Komisioni Evropian: Progresi i Shqipërisë matet me standardet, jo vetëm me negociatat

Aktualitet

Komisioni Evropian: Progresi i Shqipërisë matet me standardet, jo

Ndërsa qeveria shqiptare vijon ta paraqesë procesin e negociatave me Bashkimin Evropian si historinë e suksesit të mandatit të saj, protesta mbi një muaj e popullit shqiptar ka zhvendosur debatin nga retorika politike te respektimi konkret i standardeve evropiane.

Çfarë po ndodh prek mënyrën se si zbatohen detyrimet që burojnë nga procesi i anëtarësimit, dialogun me shoqërinë civile, shtetin e së drejtës dhe garantimin e lirive themelore. Mbi zhvillimet në Shqipëri, gazetarja Alba Kepi i kërkoi një koment zyrtar Komisionit Evropian.

Komisioni Evropian shmang çdo gjykim politik mbi çështjen konkrete, por kujton se asnjë projekt dhe asnjë vendim i autoriteteve shqiptare nuk mbetet jashtë monitorimit të procesit të anëtarësimit. Në përgjigjen e tij, Brukseli thekson se çdo projekt duhet të jetë në përputhje me kriteret e Kapitullit 27, se përmbushja e tyre do të verifikohet përpara mbylljes së kapitullit, se Komisioni është në kontakt të vazhdueshëm jo vetëm me qeverinë, por edhe me shoqërinë civile, dhe se garancitë e dhëna nga autoritetet shqiptare nuk zëvendësojnë verifikimin e institucioneve evropiane.

Po aq domethënës është edhe mesazhi për dimensionin demokratik të procesit të integrimit. Duke vlerësuar garantimin e protestës paqësore dhe duke rikujtuar se liria e tubimit dhe liria e shprehjes janë vlera themelore evropiane, Komisioni Evropian lë të kuptohet se procesi i anëtarësimit nuk është vetëm një negociatë teknike mes Tiranës dhe Brukselit, por një vlerësim i vazhdueshëm i mënyrës se si ushtrohet pushteti, si zbatohen ligjet dhe si respektohen të drejtat e qytetarëve.

Për Bashkimin Evropian, progresi nuk matet vetëm me hapjen e grupkapitujve apo me ritmin e negociatave, por mbi të gjitha me mënyrën se si funksionon shteti i së drejtës, si respektohen procedurat ligjore, si përfshihet shoqëria civile në vendimmarrje dhe si garantohen të drejtat themelore të qytetarëve.

Komisioni Evropian, në një përgjigje zyrtare "on the record", që i atribuohet zëdhënësit të Komisionit Evropian, u shpreh si më poshtë:

Pyetje (Alba Kepi): A ka ky rast ndonjë ndikim në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, veçanërisht në kapitujt që lidhen me mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm?

Komisioni Evropian: Progresi i Shqipërisë matet me standardet, jo

Përgjigje (Zëdhënës i Komisionit Evropian): Shqipëria është një nga vendet më të avancuara në procesin e zgjerimit dhe ka bërë progres në mbrojtjen e mjedisit. Ky progres është i vlefshëm dhe duhet të njihet e të mbrohet. Në një situatë si kjo, është e rëndësishme që të gjithë të mbështetemi te faktet.

Sa i përket projektit në fjalë, siç ndodh me të gjitha projektet në zhvillim në Shqipëri, ai duhet të jetë në përputhje me kriteret e përcaktuara në Kapitullin 27 për mjedisin, në kuadër të procesit të anëtarësimit. Ky kapitull është aktualisht i hapur. Përpara se ai të mund të mbyllet, situata duhet të jetë plotësisht e qartësuar. Roli ynë do të jetë të verifikojmë nëse kriteret përkatëse janë përmbushur.

Pyetje (Alba Kepi): Si e monitoron Bashkimi Evropian zbatimin e projekteve të mëdha zhvillimore që prekin zona të mbrojtura natyrore në vende kandidate si Shqipëria?

Përgjigje (Zëdhënës i Komisionit Evropian): Komisioni Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe me shoqërinë civile.

Ne i inkurajojmë autoritetet shqiptare të vazhdojnë të ndërmarrin hapat që mbështesin përmbushjen e kritereve për mbylljen e Kapitullit 27 dhe e ndihmojnë Shqipërinë të ecë përpara në rrugën e saj evropiane.

Ne kemi marrë garanci nga qeveria shqiptare se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se do të respektohen standardet evropiane për mbrojtjen e mjedisit.

Pyetje (Alba Kepi): A ka mekanizma o instrumente që Bashkimi Evropian mund të përdorë në rastet kur konstatohet se standardet ose detyrimet mjedisore janë shkelur?

Përgjigje (Zëdhënës i Komisionit Evropian): Sa i përket projektit në fjalë, ashtu si edhe për çdo projekt tjetër në kuadër të procesit të anëtarësimit, ai duhet të jetë në përputhje me kriteret e përcaktuara në Kapitullin 27 për mjedisin. Ky kapitull është aktualisht i hapur. Përpara se ai të mund të mbyllet, situata duhet të jetë plotësisht e qartësuar. Roli ynë do të jetë të verifikojmë nëse kriteret përkatëse janë përmbushur. Ne vlerësojmë autoritetet shqiptare dhe Policinë e Shtetit për garantimin e së drejtës për protestë paqësore në mënyrë të sigurt dhe të rregullt. Tubimi paqësor dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore demokratike dhe vlera bazë të Bashkimit Evropian.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion