Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e sigurisë në rajon

Aktualitet

Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Utulash, u takua të mërkurën me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, në Kopaonik të Serbisë, për të biseduar për gjendjen e sigurisë rajonale.

Në një njoftim për media, misioni paqeruajtës në Kosovë tha se ky takim ishte pjesë e ndërveprimeve të rregullta të Utulashit me homologët e vet ushtarakë.

“Gjeneralmajor Utulash dhe gjenerali Mojsilloviq ndanë qëndrimet e tyre për gjendjen e përgjithshme të sigurisë dhe ndikimin e saj në stabilitetin rajonal, si dhe për aktivitetet bashkëpunuese, përfshirë patrullimet e sinkronizuara përgjatë vijës kufitare administrative”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha se në takimi u mbajt me ftesë të Mojsilloviqit dhe se në të u diskutua për gjendjen e tanishme të sigurisë në Kosovë dhe për bashkëpunimin e deritanishëm.

“Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka kërkuar nga komandanti i KFOR-it që forcat ndërkombëtare të veprojnë në mënyrë profesionale dhe të paanshme dhe të parandalojnë me shpejtësi çdo përpjekje për të rrezikuar popullatën serbe”, thuhet në njoftimin e Ministrisë serbe.

Gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës mbetet e tensionuar prej 29 majit të vitit të kaluar, kur u lënduan dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it gjatë përleshjeve në protestat e serbëve kundër kryetarëve shqiptarë në katër komunat atje.

Pikërisht në njëvjetorin e dhunës në Zveçan, KFOR-i ka kërkuar që të përfshirët në sulmet ndaj pjesëtarëve të këtij misioni të vihen para para drejtësisë.

Tensionet kulmuan më 24 shtator, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, afër Zveçanit, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion