Kolegu humbi jetën, vetë mbeti i pagosur në aksionin për kapjen e të shumëkërkuarit, efektivi Adri surprizohet nga Hita

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, vizitoi në banesë punonjësin e Policisë Edison Adri, i cili u plagos gjatë operacionit në malin e Bodenit, në Maliq, për kapjen e një personi të kërkuar, ku humbi jetën kolegu i tij, Dëshmori i Atdheut, Enea Mekolli.
Pas përfundimit të trajtimit mjekësor në Itali, Edison Adri është kthyer në banesë, ku vijon periudhën e rikuperimit. Drejtori i Përgjithshëm u takua me të dhe familjarët e tij, duke i përcjellë mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe mirënjohjen për sakrificën e tij në përmbushje të detyrës.
Gjatë vizitës, Hita u shpreh:
Edison, së pari, gëzohem shumë që je kthyer në shtëpi, pas një kurimi të vështirë në Itali. Kam ardhur sot këtu jo vetëm si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, por mbi të gjitha si koleg dhe si një prej njerëzve të familjes së madhe të Policisë, dhe për fjalën e dhënë se do të jem krah teje, ashtu siç do të jem krah çdo punonjësi policie që punon dhe sakrifikon për ligjin dhe qytetarët.
Sakrifica e Eneas, tashmë Dëshmor i Atdheut dhe sakrifica jote nuk do të harrohen kurrë.
Jam shumë i kënaqur që sot po të shoh këtu, në shtëpinë tënde, duke u rikuperuar. E di që vuajte shumë dhe se rruga e rikuperimit kërkon kohë dhe forcë, por dua të dish se nuk je vetëm.
Policia e Shtetit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria shqiptare janë pranë teje dhe vlerësojnë e mbështesin çdo sakrificë që i shërben sundimit të ligjit.
Ti e bëre detyrën tënde, tani është detyra jonë të vijojmë të jemi pranë teje, në çdo kohë.
Uroj që dita-ditës të bëhesh më mirë, të marrësh veten plotësisht dhe të rikthehesh sa më shpejt në detyrë, aty ku të presin kolegët dhe detyra në shërbim të qytetarëve ”
Punonjësi i Policisë Edison Adri falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme, si dhe të gjithë ata që kontribuuan për trajtimin dhe kurimin e tij jashtë shtetit.


