Joe Biden dhe Donald Trump përballen me vota proteste në Wisconsin

Aktualitet

Joe Biden dhe Donald Trump përballen me vota proteste në Wisconsin

Në 4 shtete amerikane, Viskonsin, Konektikat, Nju Jork dhe Rod Ajlend u mbajtën të martën votime paraprake presidenciale, si në kampin demokrat dhe atë republikan. Pa ndonjë surprizë, dy kandidatët, demokrati Joe Biden dhe republikani Donald Trump fituan me lehtësi në këtë proces.

Megjithatë, vëmendje të veçantë morën zgjedhjet në shtetin Viskonsin ku secili prej tyre u përball me një votë proteste më të lartë nga sa pritej. Presidenti Joe Biden u përball me kundërshtinë e aktivistëve që nxitën demokratët të votonin kundër tij në shenjë mosmiratimi për mbështetjen e Izraelit në ofensivën ushtarake në Gazë.

40 mijë vetë votuan kundër Presidentit Biden, duke dyfishuar objektivin prej 20 mijë votash që kishin vënë si synim organizatorët e kësaj fushate proteste. Në vitin 2020 Presidenti Biden arriti të fitojë pikërisht me një diferencë prej 20 mijë votash.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ky nuk është rasti i parë që Presidenti Biden përballet me një votë proteste për shkak të qëndrimit të tij lidhur me luftën në Gazë.

Në votimet paraprake të muajit mars, në Miçigan, një tjetër shtet kyç për zgjedhjet presidenciale, ndaj tij u hodhën 100 mijë vota kundër, ndërsa në shtetin e Minesotas 46 mijë. Edhe në kampin republikan, ish Presidenti Trump u përball me votë proteste, ndërsa disa kritikë votuan kandidatë kundërshtarë të tij, që tanimë janë tërhequr nga gara.

Rezultatet tregojnë se 13 përqind e tyre hodhën votën për ish guvernatoren e Karolinës së Jugut Nikkie Haley dhe 3 për qind për guvernatorin e Floridës, Ron De Santis. Të dy këta kandidatë, kanë javë të tëra që e kanë lënë garën, ndaj duket se vota simbolizon pakënaqësinë ndaj zotit Trump, i cili pritet të sigurojë emërimin e republikanëve për zgjedhjet e 5 nëntorit./Voa/

ME TE LEXUARAT