"Janë deklarata të papërgjegjshme", Zhdukja e Bleona Matës, avokati Idajet Beqiri hedh poshtë deklaratat e Alban Durajt: Sajesë e turpshme

Aktualitet

"Janë deklarata të papërgjegjshme", Zhdukja e Bleona
Një ditë më parë, avokati Alban Duraj tha në emisionin “Breaking me Fiora Dardha” se dihet vendndodhja e Bleona Matës, e zhdukur prej 16 vitesh. Sipas tij, vajza që tashmë është 22 vjeçe, është një studente ekselente dhe është e birësuar nga një çift grek.

Këto detaje i ka hedhur poshtë sot avokati i nënës së Bleonës, Idajet Beqiri. Gjatë një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” me Sidorela Gjonin, ai u shpreh se këto janë deklarata të papërgjegjshme dhe se Duraj nuk ka asnjë lloj lidhje me çështjen. Sipas Beqirit, ai është nxituar.

“Jo vetëm që është e papërgjegjshme, por krijon probleme ligjore, e hedh organin e akuzës në një drejtim që nuk duhet të shkojë. Gjithashtu ka probleme të rëndë me familjen, nënën e Bleonës, njerëzit e tjerë të dashur, vëllain e saj. Ua ngacmon plagën padrejtësisht. Ky person nuk ka lidhje, nuk e di pse është futur këtu”, tha avokati.

Lidhur me nënën e Bleonës, zonjën Bukurie, Beqiri tha se ajo thashme është mësuar me kështu deklaratash pasi edhe në rrjetet sociale çfarë nuk thuhet.

“Dikush thotë është martuar këtu, dikush e gjetëm këtu, dikush thotë është adoptuar. Ka plot teori. Me dhimbje i pret të gjitha, edhe këtë deklaratë, por e di që është një gënjeshtër, mashtrim i madh”, tha avokati.

I pyetur nëse ka informacione se për kë bëhet fjalë, për vajzën që përmendi avokati Duraj, Beqiri tha se ‘nuk ka lidhje dhe se është sajesë e turpshme’.

“Madje është vepër penale. Nuk dua të flas shumë për të, komuniteti jonë ka lloj-lloj njerëzish. U bë vetting gjithandej, por duhet bërë dhe brenda avokatëve. Çfarë nuk po dëgjojmë”, vijoi avokati.

Sipas Beqirit, hetimet për rastin e Bleonës janë në një drejtim tjetër dhe këto deklarata thjeshtë shpërqendrojnë vëmendjen. Ai shton se është një situatë jo normale në hetimet e kësaj çështje.

“Është si puna e kungulleshkës, një erë e merr çështjen Prokuroria e Kukësit dhe e ndalon, e dërgon te Policia. Kjo e merr dhe e kthen sërish te Prokuroria që më pas ia dërgon SPAK. SPAK nuk bën gjë.  Momentalisht është çështje e ‘vdekur’, është e pezulluar, nuk ka ndonjë gjë konkrete në drejtimin e duhur. Është një fatkeqësi e madhe, në krim kaq i madh prej 16 vitesh, sot vajza është 22 vjeçe, nuk merr drejtimin e duhur çështja”, përfundoi avokati Beqiri.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion