“Jam këshilltare e Ramës”, lihet në bu'rg 45-vjeçarja që mashtronte familjet e prekura nga tërmeti (EMRI)

Aktualitet

“Jam këshilltare e Ramës”, lihet në bu'rg

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Ina Cekaj, e cila u arrestua dy ditë më parë nga policia për akuzën e “Mashtrimit financiar më shumë se një herë” dhe “Falsifikimit të dokumentave” për qëllim përfitimi.

Rezulton se Ina Cakaj, para disa vitesh ka punuar si gazetare pranë një emisioni televiziv, ku në fokus kishte zbulimin e njerëzve të humbur në Shqipëri.


Kërkesa për mbylljen në burg të Ina Cekaj, është bërë nga prokurorja e çështjes, Mirela Kapo, e cila i shpjegoi gjyqtares se e arrestuara kishte ngritur një skemë mashtrimi tek banorët e dëmtuar nga tërmeti i Nëntorit 2019 në Fushë-Krujë.

Sipas akuzës Cakaj mekanizmin e mashtrimit e kishte ngritur duke u prezantuar si këshilltare e kryeministrit Edi Rama dhe se ai e kishte vendosur në krye të projektit “La Mama” të ngritur posaçërisht prej tij, për të kompensuar financiarisht familjet e dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019.

Në këmbim të “ndihmës” Ina Cakaj, i kërkonte çdo banori që kërkonte kompensim shuma financiare që varionin nga 5 mijë deri në 10 mijë euro.


Për të bindur qytetarët se ajo ishte vërtet këshilltare e Ramës, ajo u shpërndante atyre disa kartëvizita të falsifikuara dhe dokumenta të tjera falso.

Njëherësh në profilet e saj në rrjetet sociale, Ina Cakaj, postonte duke shpërndarë çdo status që publikonte në FB kryeministri i vendit, Edi Rama.

Duke përdorur këtë mekanizëm, Ina Cakaj, ka arritur të mashtrojë dhjetëra banorë të Fushë-Krujës dhe Laçit.

Por disa prej tyre kanë mundur ta kuptojnë mashtrimin dhe i janë drejtuar policisë së Fushë-Krujës, duke depozituar kallëzim penal.

Hetimet e kryera nga policia zbuluan se Ina Cakaj, kishte kryer vetëm mashtrime, pasi nuk ishte pjesë e kabinetit të Edi Ramës dhe asnjë projekti qeverisës, siç ajo prezantohej.

Nisur nga kjo situatë, policia ka arrestuar Ina Cakaj dhe ditën e sotme gjykata e Tiranës, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Cakaj.

ME TE LEXUARAT