Interpol arreston në Gjermani 49-vjeçarin shqiptar, ishte në kërkim për trafik droge

Interpol Tirana në bashkëpunim me homologët gjermanë bënë të mundur arrestimin e 49-vjeçarit nga Fieri, me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri. Shtetasi në fjalë akuzohet për një sërë veprash, që lidhen me drogën.
“Interpol Tirana/ Falë shkëmbimit në kohë të informacionit mes Interpol Tiranës dhe zyrës homologe të Interpol Wiesbaden, Gjermani, u bë e mundur kapja dhe ekstradimi drejt Shqipërisë, i shtetasit shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Nga specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Frankfurti, Gjermani, drejt vendit tonë, i shtetasit P. S., 49 vjeç, banues në Patos, Fier.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, në vitin 2018, i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg", për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Trafikimi i narkotikëve", kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, "Grupi i strukturuar kriminal", "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale".
Shtetasi P. S. dyshohet si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal që ka vepruar së bashku me persona të tjerë në episodin e trafikimit të 2 ton lëndë narkotike cannabis sativa, më datë 08.02.2017, nga Shqipëria në Itali, si dhe i përfshirë në episode të tjera të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, njofton policia.


