I dënuar për laboratorin e Xibrakës, Ermal Hoxha paraqitet në SPAK

Ermal Hoxha është paraqitur ne SPAK të hënën në mesditë. SPAK nuk jep detaje për arsyet e thirrjes së Ermal Hoxhës.
Nipi i ish-diktatorit ka qenë i dënuar për laboratorin e Xibrakës. Dosja Xibraka është rihapur në 2024 pas një denoncimi publik të bërë nga Gazmend Bardhi.
Bardhi akuzoi Olsi Ramën për përfshirje në dosjen Xibraka.
Ne vitin 2018 Ermal Hoxha eshte liruar pasi ishte dënuar për trafik droge pas zbulimit të laboratorit të kokainës në Xibrakë duke dalë në liri me kusht.
Hoxhës i kishte mbetur dhe 1 vit 6 muaj burg pa vuajtur por ka fituar lirinë me kusht. Nipi i ish-diktatorit ka lënë qelitë e burgut të Fierit më 13 shtator.
Në Xibrakë u zbulua një laborator i sofistikuar përpunimi kokaine më 14 janar të 2015 e lajmi bëri bujë në atë kohë. Ky ishte një prej operacioneve më të rëndësishme të zhvilluara nga policia në vitet e fundit.

Sipas të dhënave nga hetimi, i arrestuari Ilir Hyseni ishte personazhi kryesor që mbulonte sigurimin e drogës jashtë vendit dhe sjelljen e saj në Shqipëri.
Në vijim ishte po ai që survejonte kalimin e saj në vende të Europës, kryesisht në Gjermani. Sipas hetimeve, Ermal Hoxha, ka pasur rolin e financuesit dhe të financierit. Ai ishte personi që mbulonte likuidimin e drogës kur hynte në Shqipëri dhe që merrte paratë nga marrësit kur nxirrnin kokainë jashtë vendit.
Nipi i Enver Hoxhës u arrestua pasi më parë ishte filmuar nga agjentët e policisë në laboratorin e drogës në Xibrakë të Elbasanit.
Ermal Hoxha bashkë me tetë të pandehurit e dosjes, përfshi edhe dy shtetas kolumbiane, u deklaruan fajtorë nga Krimet e Rënda dhe u dënuan me 104 vite burg në total.
Në nëntor 2017, Apeli i Krimeve uli ndjeshëm dënimet e dhëna ndaj tyre, pasi pranoi zbatimin e gjykimit të shkurtuar, duke i ulur çdo të pandehuri një të tretën e masës së dënimit.
Në prill të këtij viti nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, kërkoi të shpallej i pafajshëm, duke i bërë rekurs vendimit të Apelit të Krimeve të Rënda në Gjykatën e Lartë.


