Protesta e PD/ Molotovë dhe përplasje me policinë, procedohen 7 persona mes tyre edhe deputeti Klevis Balliu

Policia e Shtetit ka vënë nën hetim 7 persona pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së Partisë Demokratike të zhvilluar mbrëmjen e 8 majit në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, gjashtë persona po hetohen për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Ndërkohë, Klevis Balliu është proceduar penalisht për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Gjatë protestës, disa persona hodhën molotovë, lëndë piroteknike dhe sende të forta në drejtim të efektivëve të Policia e Shtetit, duke shkaktuar plagosjen e tre punonjësve të policisë.
Gjatë veprimeve procedurale, policia bëri të ditur se ka sekuestruar një molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta të përdorura gjatë përplasjeve.


