Shtohet misteri për vrasjen e Pëllumb Metës, në armën e krimit gjenden gjurmët e djalit të vogël

Në pistoletën e krimit me të cilën u vra Pëllumb Meta janë gjetur gjurmë gishtash edhe të djalit të vogël, Amarildo Meta.
Për vrasjen e 49-vjeçarit është i akuzuar direkt djali i madh Hysen Meta 25 vjeç, si personi që ka shkrepur armë. Po kështu për vrasje akuzohet edhe vajza Hygerta Meta 19 vjeç, e cila ka qenë prezent në momentin e vrasjes.
Por me daljen e rezultateve të analizave nga laboratori i kriminalistikës, në armën e vrasjen janë gjetur gjurmë edhe të djalit të vogël Amarildo Meta, i cili për momentin akuzohet nga policia për fshehje të kufomës.
Laboratori i kriminalistikës ka dalë në konkluzionin se Amarildo Meta ka gjurmë gishtash në pistoletën me të cilën u vra babai i tij. Kjo do të thotë që Amarildo e ka prekur armën, por nuk është e qartë nëse ka bërë shkrepje ose jo.
Për grupin hetimor të Durrësit, autor kryesor i vrasjes vazhdon të mbetet djali i madh Hysen Meta. Pas vrasjes së Pëllumb Metës nga fëmijët e tij, pistoleta e krimit u hodh në një zonë moçalore, por u gjet nga grupi hetimor dhe u dërgua për ekspertizë.
Ndërkohë, të tre fëmijët dhe gruaja e viktimës u dërguan në një poligon qitje në Durrës dhe rezulton se të katërt dinë të përdorin armë.
Vrasja e Pëllumb Metës ndodhi më 10 Shkurt 2024 në banesën e familjes në Shënavlash të Durrësit. Kufoma u gropos në kasollen e bagëtive dhe fëmijët inskenuan ngjarjen duke e denoncuan babain si të zhdukur.
Por dy javë nga ky moment, Policia e Durrësit zbardhi ngjarjen duke zbuluar se 49-vjeçari ishte vrarë nga familja dhe jo të ishte zhdukur. Motivi u tha se ishte mblesëria për të martuar Hygertën pa dëshirën e saj, por kjo pistë nuk po bind hetuesit, mbështetur edhe mbi disa dëshmi që pohojnë diskutimin për mblesërinë, por vetë Pëllumbi nuk kishte pranuar duke thënë se vajza është me studime.
E në këtë pikë, motivi i vërtetë i ngjarjes së rëndë mbetet ende mister.
Kush e vrau Pëllumb Metën? Merr kthesë hetimi pas eksperimentit, Hygerta rikthehet në banesë

Grupi hetimor me ekspertë nga policia e Durrësit dhe prokuroria vijojnë analizimin e provave për të zbuluar se kush ishte ekzekutori i Pëllumb Metës.
Tre fëmijët dhe bashkëshortja e tij që po hetohen për këtë krim janë çuar javën e kaluar në poligon ku janë testuar për aftësitë e tyre për të kryer qitje me pistoletë.
Ka rezultuar se Hygerta Meta ka qenë në gjendje të mbushë armën dhe të kryejë qitje ndërsa Hysen Meta që grupi hetimor beson se është ekzekutori ka refuzuar të qëllojë duke thënë se nuk di të mbajë armë.
Eksperimentin e kanë bërë dhe Blerina Meta dhe Amarildo Meta të cilët kane thënë se s’kanë mbajtur kurrë më parë armë në dorë.
Dy të dyshuarit kryesorë Hygerta dhe Hysen Meta i qëndrojnë deklarimeve të dhëna në seancën e masës së sigurisë ku pretendojnë se vrasjen e ka bërë Hygerta.
Vajza është rikthyer në vendngjarje ku është rindërtuar skema e vrasjes dhe vajza ka treguar pozicionin ku ishte shtrirë i ati ku dhe si e ka qëlluar, trajektoret, zhvendosjen e trupit dhe varrosjen.
Të dhënat e këtij eksperimenti po krahasohen me ato të perpiluara nga ekspertët gjate këqyrjes së vendit të krimit.
Hyseni nuk ka rindërtuar asnjë skemë pasi i qëndron versionit se kur ndodhi vrasja nuk ishte ne shtëpi.
3 fëmijët, Hygerta, Hysen dhe Amarildo Meta janë në qeli për vrasjen e babait dhe bashkëpunimin në fshehjen dhe groposjen e trupit në oborrin e shtëpisë, ndërsa nëna e tyre Blerina po hetohet në gjendje të lirë.
Ajo pretendon se burri e ka dhunuar gjatë gjithë kohës, ndërsa fëmijët flasin për një baba autoritar ku duhej të bëhej vetëm siç ai thoshte.
Familjarët e Pëllumb Metës thonë të kundërtën duke e quajtur një kryefamiljar të dashur që ka sakrifikuar për mirëqenien e fëmijëve.


