Helmohen nga ushqimi studentët e Akademisë së Sigurisë, 56 prej tyre përfundojnë në spital

Rreth 56 studentë të Akademisë së Sigurisë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në ambientet e institucionit.
Pas konsumimit të drekës brenda ambienteve të Akademisë, studentët janë ndjerë keq.
Studentët janë dërguar në spital.
Akademia e Sigurisë ka kontratë me një kompani private, e cila ofron shërbimin e kateringut për tre vaktet ushqimore të studentëve.
Ndërkohë, institucionet përkatëse kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e shkaqeve të incidentit.
Njoftimi i policise:
Dje, janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së, 56 studentë të Akademisë së Sigurisë, të cilët dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e Akademisë së Sigurisë.
Të gjithë studentët morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe kanë dalë nga spitali, në gjendje të mirë shëndetësore.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për këtë rast:
-arrestuan në flagrancë shtetasit K. B., 52 vjeç dhe K. P., 23 vjeçe, me detyra respektive kuzhinier dhe teknologe ushqimi në kompaninë e kontraktuar për të ofruar ushqim në Akademinë e Sigurisë;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen R. Ç., 35 vjeçe, me detyrë teknologe ushqimi në këtë kompani;
-shpallën në kërkim administratoren e kompanisë, shtetasen A. T., 52 vjeçe.
Punohet për kapjen e shtetases A. T., individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të shtetasve të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.


