Hapja e portave të HEC-it të Banjës përmbyt tokat në Cërrik, fermerët drejt falimentimit: S’kemi zgjidhje, veçse të ikim

Aktualitet

Hapja e portave të HEC-it të Banjës përmbyt tokat në

Hapja e portave të Hidrocentralit të Banjës ka përmbytur një sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore, sera dhe ullinj në fshatrat Linas dhe Selitë, në Bashkinë e Cërrikut. Një ndër fermerët më të prekur rezulton Daniel Tafa nga fshati Linas, Njësia Administrative Mollas. Këto janë pasojat e përmbytjes, si rezultat i hapjes së portave të hidrocentralit dhe daljes nga shtrati të lumit Devoll, i cili përshkon zonën.

Fermeri thotë se brenda dy muajve është përmbytur dy herë. Rreth 3 hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë, ndërsa dëmet më të mëdha janë shkaktuar në sera.Fermeri nga Cërriku ende nuk e ka bërë bilancin e dëmit ekonomik, i cili, sipas tij, është i pallogaritshëm. Ai i bën thirrje shtetit shqiptar të vërë dorë mbi fermerët, pasi janë drejt falimentimit.

Nëse nuk do të ndihmohet, thotë se do të largohet përfundimisht nga Shqipëria.U kthye para 7 vitesh nga emigrimi me shpresën se do ta ndërtonte në vendlindje të ardhmen e familjes së tij, por sot përballet me pasiguri nëse shteti shqiptar do t’i gjendet pranë.

“Të gjtiha këto që shikoni janë nga keqmenaxhimi i digës. I bëj thirrje shtetit të vërë dorë mbi fermerë sepse në këtë gjendje që jemi ne nuk ngreme kokë më. I bie që ne të largohemi e të ikim në Evropë. Ne çdo gjë e kemi këtu. Nëse na ndihmon shteti mirë, nëse jo jemi të gjithë për të iku“, shprehet fermeri Daniel Tafa.

Drejtori i Bujqësisë dhe Pyjeve në Bashkinë Cërrik, Çerçiz Shabani na njeh me dëmin real në dy njësitë administrative dhe shkakun e përmbytjeve ai e bën me dije se tashmë është ngritur një grup pune për të evidentuar të gjitha dëmet e shkaktuara, të cilat do t’i përcillen Ministrisë së Bujqësisë.

Mësohet se në dy ditët e para të hapjes së portave të Hidrocentralit të Banjës, shkarkimet kanë qenë 290 m³/sek, ndërsa së bashku me prodhimin e energjisë elektrike kanë arritur në 390 m³/sek.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion