Grabisin kambistin, kapet një prej dy autorëve në Durrës

Aktualitet

Grabisin kambistin, kapet një prej dy autorëve në Durrës

Një prej dy autorëve që grabisnin një kambist në Durrës është arrestuar.

Policia ka sekuestruar edhe automjetin e përdorur për vjedhjen me dhunë të 58-vjeçarit që pas ngjarjes ka bërë denoncim në polici. Operacioni policor i koduar “Dinamika” u organizua pasi kambistit në Durrës i morën, me forcë dhe nën kërcënimin e një thike, një shumë parash.

Sipas policisë së Durrësit, i arrestuari është drejtuesi i automjetit që u përdor për të kryer vjedhjen dhe që u sekuestrua nga Policia e Durrësit, në cilësinë e provës materiale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës kanë marrë kallëzim nga shtetasi S. H., 58 vjeç, banues në Durrës, i cili ushtronte në rrugë, në mënyrë të kundërligjshme, aktivitetin e këmbimit valutor, se 2 shtetas të paidentifikuar e kishin marrë në një automjet dhe duke e kanosur me mjet prerës (thikë), i kishin vjedhur një shumë parash, dhe më pas ishin larguar.

Menjëherë pas këtij kallëzimi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar punën, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Falë veprimeve të shpejta u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i njërit prej autorëve të dyshuar të këtij rasti, konkretisht i shtetasit Vladimir Rusi, 63 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.

Vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar kryesor të këtij krimi, njëkohësisht bashkëpunëtor i të arrestuarit.

Nga hetimet paraprake të kryera për këtë rast, rezulton se 63-vjeçari, së bashku me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, kanë marrë shtetasin S. H., në automjetin që drejtohej nga Rusi, dhe duke e kanosur atë, me thikë, i kanë marrë shumën 1 000 000 lekë dhe më pas janë larguar.

ME TE LEXUARAT