Gjyqi ndaj grupit të Laert Haxhiut/ Kleviol Ahmetaj rrëfen sherrin me Noizyn: Hoqa syzet për respekt, më qëlloi me grusht

Eshtë mbajtur sot seanca e radhës në GJKKO për grupin e Laert Haxhiut. Kleviol Ahmetaj, personazh i njohur në rrjetet sociale, ka dëshmuar në procesin ndaj anëtarëve të grupit të Laert Haxhiut në Gjykatën e Posaçme.
Gjatë dëshmisë së siguruar për Top Channel nga Anila Hoxha, Ahmetaj deklaroi se nuk ka pasur lidhje me të pandehurit dhe se njohja e tij me Laert Haxhiun ka qenë vetëm familjare dhe nga fëmijëria, pasi kanë jetuar pranë njëri-tjetrit në Lushnje. Ai tha se pas daljes nga burgu në vitin 2020 nuk ka pasur asnjë kontakt me Haxhiun, ndërsa mohoi çdo përfshirje apo dijeni për ngjarjet për të cilat akuzohet grupi.
Në dëshminë e tij, Ahmetaj foli edhe për konfliktin me këngëtarin Rigels Rajku, i njohur si Noizy, duke treguar versionin e tij për përplasjen në Durrës dhe duke deklaruar se nuk ka menduar për hakmarrje pas saj. Për shpërthimin me tritol në lokalin e Noizyt, Ahmetaj tha se e kishte mësuar nga persona të tjerë gjatë kohës që ishte në burg dhe se nuk kishte dijeni se kush qëndronte pas ngjarjes.
Dëshmia e plotë e Kleviol Ahmetajt:
Nuk kam asnjë lidhje me të pandehurit, as familjare, as miqësore. Me Laert Haxhiun kam njohje. Jetoj në Lushnje, Laerti është jo më larg se 150 m larg shtëpisë time. Jemi rritur bashkë, njihemi familjarisht. Në vitin 2007 kemi luajtur futboll. Kam qenë në Amerikë dhe kur kthehesha rrija në Lushnje. Kur e kam njohur Laertin ka qenë pa punë. Vitet e fundit unë s’e kam takuar hiç. Vij nga SHBA në 2013 dhe në 2014 bie në burg. Kam dalë në vitin 2020 nga burgu dhe nuk jam takuar më me të. Burgun e kam vuajtur në IEVP 313, 302, Fier dhe Durrës. As telefonatë dhe asnjë lloj kontakti nuk kam pasur me Laertin.
Me Rigels Rajkun e kam të njohur, njohuri artistike. Ai është muzikant i njohur dhe unë kam qenë muzikant i panjohur. Ky Rigels Rajku, për të marrë famë, shante Viktor Palokën, i njohur si Unikkatil. Ne, kur na shante Noizy, ishim në Amerikë. Pas 15-20 viteve ia kthej edhe unë me muzikë, duke sharë Noizyn. Unë jam shkrimtar, shkruaj tekste muzike. Kur dola në 2020 doja të bëhesha i famshëm dhe fillova të ngacmoja në mënyrë artistike, quhet diss. Dhe kur bëra këngën u bëra i famshëm dhe po më pëlqente.