Gjyqi Meta-Kryemadhi/ Meta: Jam beqar, banoj tek 313-ta! Kryemadhi dëgjon jashtë kafazit

Aktualitet

Gjyqi Meta-Kryemadhi/ Meta: Jam beqar, banoj tek 313-ta! Kryemadhi dëgjon

Gjatë seancës së zhvilluar këtë të premte në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ish-presidenti Ilir Meta u paraqit përpara trupit gjykues, ndërsa në sallë ishte e pranishme edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.

Në momentin e verifikimit të të dhënave personale, Meta deklaroi me ironi se aktualisht adresa e tij është institucioni ku po mbahet në paraburgim, duke thënë se banon në qelinë 313. I pyetur për gjendjen civile, ai u vetëdeklarua fillimisht si beqar, për të sqaruar më pas se është i divorcuar.

Më pas, ish-kreu i shtetit kërkoi edhe një herë që procesi gjyqësor të transmetohej drejtpërdrejt për publikun, duke argumentuar se kjo do të garantonte më shumë transparencë.

Sipas Metës, mungesa e transmetimit live krijon hapësira për interpretime të ndryshme të zhvillimeve në sallën e gjyqit.

Ai iu referua edhe raporteve ndërkombëtare mbi median në Shqipëri, duke pretenduar se publiku duhet të ketë mundësinë të ndjekë drejtpërdrejt procesin dhe të krijojë vetë një gjykim mbi faktet.

“Kërkoj që kjo çështje të rishikohet. Nuk shoh arsye pse procesi të mos transmetohet drejtpërdrejt. Transparenca është në interes jo vetëm timin, por të çdo personi që përballet me drejtësinë. Qytetarët duhet të kenë mundësi të ndjekin vetë atë që ndodh në sallën e gjyqit”, u shpreh Meta gjatë seancës.

Gjykata, megjithatë, ka rrëzuar kërkesën për transmetim live, duke argumentuar se legjislacioni nuk e parashikon një praktikë të tillë dhe se prania e kamerave mund të ndikojë në zhvillimin normal të procesit gjyqësor.

ME TE LEXUARAT