Gjykata e Brazilit miraton ekstradimin e Ervin Matës drejt Shqipërisë

Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka miratuar unanimisht kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Ervin Matës. Vendimi është marrë nga Trupi i Parë i Gjykatës, pas seancës virtuale të zhvilluar nga 14 deri më 21 gusht 2026.
Në vendimin prej 23 faqesh, gjykata braziliane vlerëson se dokumentacioni i paraqitur nga autoritetet shqiptare përmbush kushtet ligjore për ekstradim, përcjell Shekulli.
Kërkesa lidhet me një procedim penal të zhvilluar në Shqipëri, ku Mata dyshohet për vepra penale që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike, bashkëpunimin në një formë të veçantë dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Në dosjen e paraqitur para autoriteteve braziliane janë përfshirë edhe të dhëna të siguruara nga komunikimet në aplikacionin e koduar Sky ECC.
Sipas materialeve të shqyrtuara nga gjykata, në shtator të vitit 2020, përdoruesi me identifikuesin GS4TDD, i identifikuar si Ervin Luan Mata, dyshohet se komunikonte për transportimin e rreth 250 kilogramëve kokainë nga Brazili drejt aeroportit të Frankfurtit në Gjermani.
Në një komunikim të 29 shtatorit 2020, në dosje përmendet se Mata fliste për sekuestrimin e 240 njësive të mallit në Frankfurt. Në një tjetër bisedë, ai shprehet se “të gjitha mallrat e mia u sekuestruan në Frankfurt, në doganë”, ndërsa përmendet edhe dërgimi i parave përmes personave të tjerë.
Dokumenti brazilian përfshin edhe komunikime që lidhen me Shqipërinë dhe Holandën. Në një prej tyre, Mata shprehet: “Vetëm në Shqipëri dua para”, ndërsa në një tjetër përmend shumën prej një milionësh në Holandë.
Në dosje janë përfshirë gjithashtu komunikime me Eralbi Breçanin. Në një bisedë të tetorit 2020, Mata flet për “ngarkesa” dhe për mundësinë e sigurimit të “daljeve të sigurta” për mallin.
Por Gjykata Supreme Federale e Brazilit vendos një kufizim të rëndësishëm: ajo nuk ka gjykuar nëse Ervin Mata është fajtor apo jo për veprat që i atribuohen. Gjykata shpjegon se, në procedurat e ekstradimit, kontrolli i saj është i kufizuar dhe nuk përfshin një rigjykim të fakteve, autorësisë apo provave të çështjes penale.
Sipas vendimit, bëhet vetëm një vlerësim paraprak juridik për të përcaktuar nëse plotësohen kushtet për ekstradim. Gjykata konstaton se ekziston parimi i dënueshmërisë së dyfishtë, se veprat nuk janë parashkruar dhe se nuk ekziston ndonjë pengesë ligjore për ekstradimin.
Ekstradimi është miratuar si procedurë hetimore, pra për t’iu nënshtruar procedimit penal në Shqipëri dhe jo për ekzekutimin e një dënimi të formës së prerë.
Megjithatë, Ervin Mata nuk i dorëzohet automatikisht autoriteteve shqiptare. Vendimi përcakton se dorëzimi varet nga vendimi diskrecional i Presidentit të Brazilit. Përveç kësaj, Shqipëria duhet të formalizojë garancitë e parashikuara nga ligji brazilian, ndër të tjera që Mata të mos ndiqet penalisht për një fakt tjetër të mëparshëm nga ai për të cilin është kërkuar ekstradimi, t’i llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim në Brazil dhe të mos i nënshtrohet torturës apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose degradues.
Vendimi i Gjykatës Supreme Federale të Brazilit është unanim dhe mban datën 24 gusht 2026. Relator i çështjes është gjyqtari Alexandre de Moraes.


