GJKKO lë në burg Denis Bajrin, vrau Gjin Ndojin për llogari të Vis Martinajt në gusht të 2020

GJKKO ka lënë në burg të shumëkërkuarin e drejtësisë Denis Bajrin (Brajoviç). Bajri u ekstradua dy ditë më parë nga Dubai pasi më herët GJKKO ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për vrasje me paramendim në bashkëpunim, grup të strukturuar kriminal dhe armëmbajtje pa leje.
Denis Bajri akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojit (Boriçi) në Vau Dejës më 9 gusht 2020, kërkuar si detyrë nga i zhdukuri Ervis Martinaj, “mbreti i kumarit”, sepse po e konkuronte në fushën e lojërave të fatit.
Ndaj tij rëndojnë 5 akuza të rënda të ngritura nga SPAK dhe që kanë të bëjnë me aktivitetin e grupit të Bajrave të Shkodrës.
Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar dhe u arrestua më 27 shkurt në Emiratet e Bashkuara Arabe pas zbërthimit të aplikacionit “SkyECC”.
Komunikimet në aplikacionin “SkyECC” të zbardhura nga autoritetet franceze zbuluan se vrasja e Gjin Boriçit ishte organizuar nga Behar Bajri, ndërsa në rolin e ekzekutorit ishte Denis Bajri.
Në përgjime SPAK ka mundur të zbardh biseda që konfirmojnë autorësinë e vrasjes dhe që korrespondojnë fiks me oraret e ekzekutimit. Fillimisht, Denis Bajri në “SkyECC” njofton Behar Bajrin dhe i shkruan “kryvi”. Të njëjtin mesazh pak minuta më vonë ia nisën edhe Ervis Martinajt.
Për këtë vrasje, biznesmeni Pëllumb Gjoka ishte ai që pajtoi Behar Bajrin dhe Behari ia la porosi Denisit, në këmbim më pas Gjoka kërkoi vrasjen e ish policit të burgut, Kleanth Musabelliu, i cili shpëtoi. Behar dhe Gjin Boriçi ishin miq në atë kohë dhe pas vrasjes i shkoi në varrim.


