FOTOLAJM/ Ergys Agasi me orë me vlerë qindra mijëra euro gjatë arrestimit, dyshohet se është e markës luksoze “Richard Mille”

Aktualitet

FOTOLAJM/ Ergys Agasi me orë me vlerë qindra mijëra euro

Një detaj që ka tërhequr vëmendjen gjatë arrestimit të Ergys Agasit ditën e sotme, 26 gusht, është ora që ai mbante në dorë.

Nga pamjet, ora ngjason me një model luksoz të markës “Richard Mille”, një prej markave më të shtrenjta të orëve në botë. Dyshohet se bëhet fjalë për një variant të serisë RM 11-03.

Çmimet e orëve “Richard Mille” nisin përgjithësisht nga rreth 100 mijë euro, ndërsa modelet e veçanta dhe ato të prodhuara në seri të kufizuara mund të arrijnë në disa qindra mijëra apo edhe miliona euro.

Modeli me të cilin ngjason ora e Agasit, nëse është origjinal, mendohet se mund të ketë një vlerë prej disa qindra mijëra eurosh.

Variante të ngjashme, me kasë prej qeramike të bardhë, janë listuar në tregun ndërkombëtar me çmime që shkojnë në rreth 450–500 mijë euro. Ndërkohë, modele të tjera të rralla të markës “Richard Mille” mund të arrijnë edhe në mbi 2 milionë euro.

Gjatë momentit të arrestimit ka rënë në sy edhe veshja e Agasit. Ai shfaqej me një bluzë të bardhë, pantallona të shkurtra dhe shapka, ndërsa në dorë i vihej re ora e dyshuar luksoze.

Stili i kushtueshëm i jetesës së Agasit ka qenë më herët objekt akuzash politike. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pretenduar publikisht se Agasi konsumonte verë me vlerë deri në 33 mijë euro shishja.

Ndërkohë, sipas raportimeve që pasuan aksionin e SPAK-ut, gjatë kontrolleve dyshohet se është gjetur edhe një koleksion verërash të shtrenjta. Vlera e koleksionit është raportuar se mund të arrijë në disa miliona euro.

ME TE LEXUARAT