Foto/ Atentati në Kamëz, xhami i mjetit të viktimës i bërë copë nga plumbat

Lulzim Visha, 48 vjeç, u ekzekutua mëngjesin e sotëm në zonën e Zall Mnerit në Kamëz. Trupi i tij u gjet i pajetë brenda në automjet.
Siç duket edhe nga foto, autori ka qëlluar vetëm nga pjesa e përparme e makinës me të cilën udhëtonte viktima.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 7:40, kur një banor ka vërejtur automjetin dhe ka lajmëruar policinë. Viktima, i cili punonte në një postë private, është qëlluar 200 metra larg shtëpisë së tij. Në vendngjarje u gjetën 12 gëzhoja, dhe dëshmitë tregojnë se arma ka mundur të ketë përdorur silenciator, pasi banorët nuk kanë dëgjuar të shtëna.
Fillimisht, hetimet janë orientuar në pistën e gjakmarrjes, pasi viktima ishte vëllai i Besnik Vishës, i njohur për policinë për një vrasje të ndodhur në vitin 1997. Megjithatë, për shkak të kohës që ka kaluar, hetimet janë zgjeruar dhe janë shtrirë në pista të tjera. Pas ekzekutimit, autori ka ikur me një automjet “Porsche” gri, i cili është gjetur i djegur disa orë më pas në Zall Herr. Policia ka ngritur postblloqe dhe ka intensifikuar hetimet për kapjen e autorit të këtij atentati mafioz.


