Emri/ Udhëtonte me të birin në "Land Rover", kush është viktima e aksidentit në Rrugën e Kombit

Zbulohen të tjera detaje nga aksidenti i frikshëm i ndodhur sot pasdite në Rrugën e Kombit.
Viktima është shtetasi nga Kosova, 58-vjeçari Hysen Saitaj.
I ndjeri ishte drejtues i mjetit “Land Rover” ku po udhëtonte së bashku me të birin.
Pas përplasjes së fuqishme me autobusin, ka ndërruar jetë në vend babai, ndërsa djali është plagosur dhe është dërguar për mjekim në Spitalin e Rrëshenit.
Fatmirësisht drejtuesi dhe pasagjerët e atuobusit nuk kanë marrë lëndime. Siç mund të shihet nga këto pamje mjeti “Land Rover” është shkatërruar plotësisht nga përplasja, ndërsa dëme të konsiderueshme ka pësuar edhe autobusi.
Në video shfaqen po ashtu të plagosurit teksa transportohen për në ambulancë. Po ashtu mund të vihet re një person që qëndron i shtrirë pranë barrierës mbrojtëse të rrugës, ndërsa një i ri po përpiqet t’i japë ndihmën e parë.
Policia bën me dije se ka shoqëruar drejtuesin e autobusit të përfshirë në aksident.
Njoftimi i plotë
Rreth orës 17:22, në aksin rrugor Rubik-Rreshen ,mjeti autobus është përplasur me mjetin tip “Land Rover” me targa italiane, ku si pasojë ka gjetur vdekjen drejtuesi i mjetit ende i paidentifikuar.
Drejtuesi i mjetit autobus po shoqërohet në Komisariatin e Policisë Mirditë, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes .


