Ekzekutuan biznesmenin Mondi Mëhalla, kush janë autorët dhe rolet e tyre, kamerat e sigurisë fiksuan skenën e krimit

Aktualitet

Ekzekutuan biznesmenin Mondi Mëhalla, kush janë autorët dhe rolet

Policia njofton se janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy të dyshuar si autorë të vrasjes së biznesmenit Mondi Mëhalla, ndërsa është vënë në pranga një nga bashkëpunëtorët.

Gjatë një deklarate, policia e Elbasanit njoftoi se në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike”, u arrestuan shtetasit Xhino Ago dhe Kujtim Pisha (roja i karburantit në pronësi të Mëhallës), si dhe u shpallën në kërkim Marselo Arani dhe Armando Kola.

Roja i karburantit akuzohet për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion për ngjarjen. Gjatë veprimeve hetimore u gjet i djegur automjeti i përdorur nga autorët dhe arma e zjarrit e përdorur në ngjarje. Gjithashtu, u sekuestruan dokumenta shitblerjeje automjeti, 3 celularë dhe 2 DVR.

Dinamika e krimit

Mbrëmjen e 30 nëntorit, biznesmeni Mondi Mëhalla u ekzekutua në automjetin e tij  në lagjen “Emin Matraxhiu” nga 2 persona. Skena e krimit ndodhi në një zonë të monitoruar me kamera sigurie.

Pasi u administruan provat e mjaftueshme dhe në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i Xhino Ago, 32 vjeç, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

Kujtim Pisha, 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Dhe u shpallën në kërkim Marselo Arani, 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe Armando Kola, 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xhino Ago, i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit Marselo Aranit.

Veprimet hetimore vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

 

ME TE LEXUARAT