Ekzekutimi i turistit 20-vjeçar në Shqipëri/ Reagon kryebashkiaku i Nisës, nis mbledhja e fondeve për kthimin e trupit

Ishte vetëm 20 vjeç dhe jetonte në Nisë të Francës. Luis Miguel Varela Mendes, i njohur me nofkën Milton, humbi jetën natën mes 17 dhe 18 gushtit, pas një konflikti, ndërsa ndodhej me pushime në Shqipëri.
Në rrjetet sociale janë shtuar mesazhet e ngushëllimit.
Nga Eloise Bussy, FRANCE INFO
Një 20-vjeçar nga Nisa humbi jetën në Shqipëri gjatë natës mes 17 dhe 18 gushtit: Luis Miguel Varela Mendes, i quajtur Milton. Lajmi është raportuar nga media franceze dhe të huaja.
Sipas këtyre mediave, i riu ndodhej me pushime në Ksamil, në bregdetin jugor të Shqipërisë, kur në një klub nate dyshohet se shpërtheu një konflikt.
Pas ngjarjes, mesazhet e ngushëllimit u shtuan. Kryetari i bashkisë së Nisës, Éric Ciotti, shkroi në rrjetet sociale: “Lajm tragjik për vdekjen e Luis Miguel Varela Mendes, një i ri 20-vjeçar nga Nisa, i vrarë me thikë në Shqipëri”.
Ai shtoi se qyteti “qëndron pranë familjes së tij në këtë moment të tmerrshëm dhe do ta mbështesë gjatë procedurave që duhet të ndjekë”.
I riu ndiqej dhe mbështetej nga stafi i qendrës sociale ‘La Ruche’.
Edhe shoqata ‘10 Étoiles’, e cila angazhohet për çështje që lidhen me shëndetin mendor dhe dhunën që prek komunitetin nga Kepi i Gjelbër në Francë dhe në Kepin e Gjelbër, ka bërë homazhe në rrjetet sociale.
Luis Miguel ishte me origjinë nga Kepi i Gjelbër.
“Mendimet tona më të sinqerta janë me familjen dhe të afërmit e tij. U prehtë në paqe Milton. Dhe u bëftë drejtësi”, shkroi shoqata.
Ajo shtoi se në këtë periudhë veçanërisht të dhimbshme, shoqata mbetet e mobilizuar pranë familjes për ta ndihmuar në procedurat e vështira me të cilat duhet të përballet.
Edhe Ambasada e Kepit të Gjelbër në Milano, Itali, ka bërë homazhe.
“Një tragjedi që prek komunitetin tonë. Le ta ndihmojmë familjen e Miltonit”, shkroi ambasada, duke theksuar se ata që e njihnin nga qendra sociale La Ruche – La Semeuse e kujtojnë si një djalë shumë të dashur, të vëmendshëm ndaj të tjerëve, që shpesh përpiqej të ndërmjetësonte dhe të qetësonte konfliktet.
Po ashtu është krijuar një fond mbështetjeje financiare për të mbuluar shpenzimet e procedurave gjyqësore, por edhe riatdhesimin e trupit të Miltonit.
Në përshkrimin e fondit thuhet se, përveç dhimbjes dhe zisë, familja tani duhet të përballojë shpenzime shumë të mëdha: avokatët për ndjekjen e procedurave dhe mbrojtjen e interesave të tyre, shpenzimet e kthimit të trupit të Miltonit, si dhe çdo shpenzim tjetër që mund të lindë në një situatë kaq tragjike.
Në momentin kur është shkruar artikulli, fondi kishte mbledhur tashmë më shumë se 9.700 euro.
Ndërkohë, Prokuroria e Nisës nuk i është përgjigjur kërkesës së France 3 Côte d’Azur për të sqaruar nëse do të përfshihet në hetimin e ngjarjes.


