Nipi i “gjeneralit” të krimit, Nehat Kulla, hidhet nga ura 160 metra e lartë!

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00 në urën e fshatit Fshat, pjesë e Rrugës së Arbrit. Sipas informacioneve të marra, dyshohet se një 40-vjeçar, nipi i Nehat Kullës, është hedhur nga ura. Ai ka lënë makinën në mes të urës, është ngjitur mbi mbrojtëset anësore dhe më pas është hedhur.
Ura është rreth 158 metra e lartë, duke u konsideruar si ura më e lartë në Ballkan. Forca të shumta policie, ambulanca, kalimtarë dhe banorë të zonës janë angazhuar në kërkim të 40-vjeçarit Kulla. Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes.
Sipas informacioneve të para emri i viktimës është Klodian Kulla, djali i vëllait të Nehat Kullës.
Kujtojmë se Nehat Kulla, i cili ndërroi jetë në 2020, një vit pasi doli nga burgu, njihej me nofkën gjenerali dhe se në vitin 1997 drejtonte një prej bandave më famëkeqe të Tiranës.
Kulla ka shlyer në burgun e Fushë-Krujës dënimin 20 vjeçar për vrasjen e Halim Gjuzit në vitin 1998 në Golem, shoferi i ish-ministrit të Brendshëm, Halit Shamata.
Banda e Nehat Kullës u krijua gjatë trazirave të vitit 1997 në Shqipëri. Ai së bashku me familjarë e miq të tij mbajtën të paprekur repartin e “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve.
Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mbajtën repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën gjenerali, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë.
Klos / Informacion paraprak
Më datë 08.12.2025, rreth orës 23:40, tek ura e fshatit Fshat, bashkia Klos, shtetasi K.K., rreth 39 vjeç, dyshohet se është vetëhedhur nga ura dhe për pasojë, ka humbur jetën.
Si pasojë e terrenit të vështirë, pas disa orësh kërkimi nga shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikësve, u bë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit nga gremina.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.


