Dyfishohen shifrat e pasagjerëve në aeroport, Aviacioni Civil: Ky vit do të shënojë tjetër rekord

Aktualitet

Dyfishohen shifrat e pasagjerëve në aeroport, Aviacioni Civil: Ky vit

Në katër muajt e parë të këtij viti, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës udhëtuan 1.1 milionë pasagjerë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Mbështetur në këto të dhëna, pritshmëritë e Autoritetit të Aviacionit Civil janë që ky vit të regjistrojë një numër rekord lëvizjesh në aeroport, duke lënë pas edhe shifrën e 2023.

“Gjatë 2023 në total, aeroporti ka regjistruar dhe ka raportuar te ne një shifër prej 7 milionë e 250 mijë pasagjerë, ndërkohë parashikimi që kemi për vitin 2024, ka devijim shumë të madh.

Ne si Autoriteti i Aviacionit Civil parashikuam 8.7 milionë pasagjerë, ndërkohë vetë aeroporti në parashikimet e veta shkonte te 9.2 milionë pasagjerë , por duket që do t’i afrohemi shifrës 10 milionë. Ka një lidhje shumë të madhe midis turistëve të aviacionit dhe turistëve në përgjithësi. Shumica e turistëve në Shqipëri kanë ardhur përmes ajrit.

Nëse arrijmë 10 milionë pasagjerë këtë vit, ne presim në total 13-14 milionë pasagjerë, kështu që ruhet trendi i vitit të kaluar, shumica udhëtojnë përmes ajrit”, shprehet Maksim Et’hemaj, drejtor ekzekutiv në Autoritetin e Aviacionit Civil.

Për të përballuar të gjithë fluksin e paregjistruar më parë, terminali i pasagjerëve në aeroport po zgjerohet dhe do të jetë i aksesueshëm brenda kësaj vere.

“A kemi rritur kapacitetet infrastrukturore për të akomoduar këtë fluks? Përgjigja është po. Aktualisht ne kemi 9 vendqendrime më shumë, ku parkojnë avionët. Kemi një rrugë lidhëse që përfundon në fillim të pistës, pra avionët nuk e përdorin më pistën për të lëvizur, por e përdorin vetëm për ngritje.

Ky ndryshim infrastrukturor ka bërë që ne të fitojmë 1 minutë për çdo avion që ngrihet. Po zgjerohet terminali, janë 15 mijë metër katrorë shtesë dhe në përfundim të punimeve, sipërfaqja totale e terminalit të pasagjerit shkon në 40 mijë metër katrorë. Duhet të kemi parasysh që terminali fillestar ishte 14 mijë metër katrorë. Pra, 2022-2024, kemi trefishuar kapacitetin e terminalit. Ne duam që ta vendosim në operim brenda sezonit veror 2024, në korrik presim që shtesa e terminalit të jetë operacionale”,  thotë ai.

Në vitin e shkuar, me mbi 3.1 milionë pasagjerë, Italia ishte tregu dominues për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, pasuar nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Turqia dhe Greqia.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion