Droga "mbulon" Krujën! Policia asgjëson dhjetëra fidanë dhe bimë kanabisi

Aktualitet

Droga "mbulon" Krujën! Policia asgjëson dhjetëra

Një operacion i gjerë policor është zhvilluar në orët e para të mëngjesit në rrethin e Krujës, me fokus parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Qindra efektivë të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Komisariatit të Policisë Krujë dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë – Njësia Tiranë kanë ushtruar kontrolle intensive në terren dhe në ambiente të mbyllura, me fokus të veçantë njësinë administrative Cudhi.

Gjatë operacionit janë përdorur edhe dronë të teknologjisë së avancuar, ku janë evidentuar dhe asgjësuar me djegie një numër i konsiderueshëm fidanësh dhe bimësh të dyshuara narkotike të llojit cannabis.

Paralelisht, policia ka kryer kontrolle edhe në ambiente të mbyllura ku dyshohet për kultivim të kanabisit me llamba speciale, ndërsa në bashkëpunim me OSHEE-në po verifikohen zona me risk të lartë për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Nën drejtimin e Prokurorisë, grupet hetimore po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë aktivitet të dyshuar kriminal.

Autoritetet kanë paralajmëruar se operacioni do të shtrihet edhe në njësi të tjera administrative të Krujës, ndërsa kanë bërë thirrje që qytetarët të mos përfshihen në kultivimin e bimëve narkotike, duke theksuar se çdo rast do të goditet nga ligji.

ME TE LEXUARAT