Dita e 31-të e tubimit në Tiranë! Protestuesit përfundojnë fjalimet, nisin marshimin me ndryshim në itinerar

Këtë të martë u mbajt dita e 31-të e tubimit në Tiranë, e cila nisi pas orës 19:00.
Protesta nisi që në mëngjes, ku disa qytetarë u mblodhën përpara Kuvendit, teksa nuk munguan as përplasjet me policinë.
Në orën 19:00, ata u mblodhën sërish në sheshin “Skënderbej” teksa vazhduan marshimin drejt Kryeministrisë, duke iu rikthyer itinerarit të përhershëm.
Një prej nismëtarëve, Arben Kola, u bëri thirrje qytetarëve të pranishëm duke thënë: “Për ata që nuk ishin te parlamenti, e patë që ata kërkojnë dhunë. Tani e mbrapa të reagojnë në mënyrë të pavarur dhe ne nuk mbajmë përgjegjësi. Ju me dhunë, dhe qytetarët me dhunë”.
“Mos u mundoni të merrni frenat e protestës. Luftën me Edi Ramën bëjeni në Kuvend. Mos postonbi video nga protesta. Nëse doni, krah për krah me ne. Mund ta bëjmë këtë luftë edhe pa ju”, u shpreh një protestues.
Më pas ata mbajtën fjalime me radhë, duke njoftuar në fund se marshimi këtë herë do të jetë shkurt, pasi protesta ka nisur që në mëngjes.
Marshimi sot do të jetë nga Bashkia e Tiranës, Kuvendi, selia e PD dhe në fund kthehen në Kryeministri.


