Nis protesta e 27-të për largimin e kryeministrit; qytetarët mblidhen në sheshin “Skënderbej”: Rama, jep dorëheqjen!

Ka nisur organizimi i qytetarëve në sheshin Skënderbej. Sot mbahet protesta e 27 kundër kryeministrit Edi Rama. Protestuesit kërkojnë dorëheqje të panegociueshme të Ramës.
Shqiptarët kërkojnë jo vetëm largimin e qeverisë aktuale, por edhe ndryshimin e asaj që e cilësojnë si “kastën e vjetër politike” dhe reformimin e establishmentit që ka dominuar jetën politike të vendit prej 36 vitesh.
Protestat zhvillohen çdo mbrëmje, ku qytetarët fillimisht grumbullohen para godinës së Kryeministrisë dhe më pas marshojnë në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke shprehur pakënaqësitë e tyre përmes pankartave, thirrjeve dhe fjalimeve publike.
Pjesëmarrësit theksojnë se tubimet kanë karakter paqësor dhe i konsiderojnë ato një shembull të angazhimit qytetar dhe të ushtrimit demokratik të së drejtës për të protestuar.


