Dhuna brutale/ Policia dje e shoqëroi vëllain e deputetit socialist, sot e shpall në kërkim
Policia ka reaguar në lidhje me dhunën brutale të regjistruar ditën e djeshme në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, ku grupi i fisit Rraja, i përfshirë dhe Xhelal Rraja, vëllai i deputetit socialist Rrahman Rraja rrahën brutalisht Bilbil dhe Jashar Majën.
Policia bën me dije se ka ndaluar 4 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë.
Blutë kanë ndaluar shteasit Ineid Rraja, 23 vjeç, Eni Kullaj, 27 vjeç, Kujtim Përdaku, 57 vjeç, Andi Rraja, 28 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve të zjarrit dhe i municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Në kërkim është shpallur shtetasi Xhelal Rraja, 65 vjeç (vëllai i deputetit socialist Rrahman Rraja), F. Rr., 55 vjeç, dhe K. Rr., 31 vjeç. Vlen të theksohet fakti se ditën e djeshme, Policia bëri me dije se e kishte shoqëruar në komisariat Xhelal Rrajën, por siç duket e ka lënë sërish të lirë dhe sot e shpall në kërkim
“Shtetasit e mësipërm, ditën e djeshme, rreth orës 11:00, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, kanë goditur me sende të forta shtetasit B. M., dhe J. M., dhe shkak për konfliktin midis këtyre shtetasve dyshohet të jetë një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të shtetasit P. Rr., i cili ka leje shfrytëzimi dhe licensë për zhvillimim e aktivitetit dhe sipas pretendimeve të shtetasve të dëmtuar (B. M. dhe J. M.) kur ndodhin plasje në gurore, krijon shqetësime në banesat e tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.” thuhet në njoftimin e Policisë.


