Detaje të reja nga atentati ndaj biznesmenit ukrainas në Monako/ Identifikohet autorja e dyshuar, rezulton një grua rreth të 30-ve

Aktualitet

Detaje të reja nga atentati ndaj biznesmenit ukrainas në Monako/

Autoritetet në Monako kanë lëshuar një urdhër arresti për personin e dyshuar si organizator i sulmit me bombë ndaj biznesmeni ukrainas disa ditë më parë, ndërsa në lëvizje për arrestimin e autorit është vënë edhe Interpoli.

Sipas agjencisë Reuters, kërkesa për ‘njoftim të kuq’ të Interpolit synon që i dyshuari të arrestohet kudo që të ndodhet. Ky mekanizëm nuk përbën një urdhër arresti ndërkombëtar në vetvete, por një kërkesë për bashkëpunim midis autoriteteve policore.

Autoritetet e Monakos bënë të ditur se kanë identifikuar një të dyshuar në hetimin për atentatin e mbetur në tentativë, i cili ndodhi të hënën në mbrëmje dhe la të plagosur tre persona.

Zyra e prokurorit në Monako deklaroi se “një urdhër arresti është lëshuar kundër të dyshuarit, i cili do të jetë subjekt i një njoftimi të kuq të Interpolit”.

Sipas mediave franceze, përfshirë Le Figaro, e dyshuara kryesore është një grua rreth të tridhjetave, e kapur nga kamerat e sigurisë duke u larguar nga vendngjarja me veshje të errët dhe kapelë të zezë.

Ajo dyshohet se ka qëndruar për një kohë të gjatë në një stol përpara ndërtesës ku ndodhi shpërthimi, përpara se të vendoste pajisjen shpërthyese dhe të largohej drejt Beausoleil, një zonë në Francë pranë kufirit me Monakon.

Autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht identitetin e objektivave të sulmit, por burime pranë hetimeve flasin për biznesmenin 58-vjeçar Vadim Ermolaev, me shtetësi qipriote, si një nga shënjestrat e mundshme, së bashku me familjarët e tij.

Ermolaev, i cili jeton në Monako prej vitit 2021, është vendosur nën sanksione nga Ukraina në dhjetor 2023 për aktivitetet e tij të biznesit në Krime.

Djali i tij ndodhet nën trajtim në një spital në Nisë, ndërsa dy të rriturit janë shtruar në spitalin universitar të qytetit. Sipas raportimeve, gjendja e një prej të plagosurve është kritike, ndërsa tjetri është jashtë rrezikut për jetën.

Prokurori i Përgjithshëm i Monakos, Stéphane Thibaut, vlerësoi bashkëpunimin ndërkombëtar dhe punën e shërbimeve të sigurisë, duke theksuar se identifikimi i të dyshuarit u bë në një kohë shumë të shkurtër.

Sipas tij, pajisja shpërthyese ishte vendosur brenda një qeseje ose pakete të lënë pranë hyrjes së objektit.

Autoritetet thanë se rreth 50 zjarrfikës dhe dhjetëra efektivë policie u angazhuan në operacionin e emergjencës.

Hetuesit po shqyrtojnë disa pista, përfshirë konfliktet e mundshme të lidhura me rrjete mashtrimi online dhe aktivitete të dyshimta biznesi në Ukrainë dhe jashtë saj.

Sipas burimeve të ndryshme, djali i biznesmenit është përfshirë më parë në çështje që lidhen me rrjete qendrash telefonike të dyshuara për mashtrime investimesh, megjithëse nuk ka ende konfirmim zyrtar për lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen në Monako.

Autoritetet theksojnë se hetimet janë ende në zhvillim dhe nuk ka përfundime përfundimtare mbi motivin e sulmit.

ME TE LEXUARAT