Dëshmia e Dumanit për vrasjen e Çelës: Arma s’më shkrepi, s’doja ta bëja pis tjetrën

Aktualitet

Dëshmia e Dumanit për vrasjen e Çelës: Arma

Këtë të enjte, Nuredin Dumani, i penduar i drejtësisë, ka rrëfyer në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar detaje tronditëse mbi vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të ish-bashkëpunëtorit të tij, Talo Çela.

Ngjarja, e ndodhur më 17 shtator 2020, u përfshi në hetimet e SPAK për operacionin “Plumbi i Artë”.

Sipas dëshmisë së Dumanit, krimi u organizua dhe ekzekutua nga ai së bashku me Besmir Xhixhën dhe Enver Divën, bazuar në informacionet e siguruara nga Eljo Bitri. Dumani zbuloi se plani fillestar për ekzekutimin pranë shtëpisë së Çelës dështoi, pasi ata u pikasën dhe u detyruan të largoheshin. Më pas, ai mori informacion se viktima frekuentonte një lokal pranë stacionit të autobusëve që niseshin për Greqi.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në rrëfimin e tij, Dumani pranoi se mbante dy armë, një për vetëmbrojtje dhe tjetrën për ngjarje kriminale. Por, në momentin e ekzekutimit, arma që kishte planifikuar të përdorte nuk i funksionoi.

“Kisha dy armë. Njërën e kisha për ta përdorur në këtë ngjarje, tjetrën për vetëmbrojtje. Kur tentova të qëlloja, arma nuk më shkrepi. Nuk përdora armën e dytë sepse nuk doja ta bëja pis. Në atë moment i thashë Xhixhës të vepronte,” deklaroi Dumani.

Sipas dëshmisë, në momentin që Enver Diva qëlloi i pari, Bujar Çela mbeti i plagosur. Dumani tentoi të përfundonte aktin, por arma e tij refuzoi të funksiononte. Në këtë situatë, Xhixha zbret nga automjeti dhe qëllon me një pistoletë 9 mm, duke e lënë të vdekur viktimën.

Pas vrasjes, të tre personat u larguan në drejtim të Fushë-Krujës, ku dogjën automjetin e përdorur dhe hodhën armët në një kanal në zonën e Plepave në Durrës, për të zhdukur gjurmët.

Sipas Dumanit, motivi kryesor i vrasjes ishte hakmarrja për ekzekutimin e Klevis Kapllanit, një mik i tij, për të cilin dyshohej se ishte vrarë nga Talo Çela dhe vëllezërit Manhasa.

Ky rrëfim i Nuredin Dumanit, tashmë dëshmitar kyç në operacionin “Plumbi i Artë,” pritet të ndihmojë drejtësinë në zbardhjen e të tjera ngjarjeve të rënda kriminale që kanë tronditur vendin.

ME TE LEXUARAT