Braktisi makinën me 18 emigrantë sirianë, arrestohet 21-vjeçari në Shkodër

Një 21-vjeçar ka rënë në prangat e policisë për transport të emigrantëve të paligjshëm. Ai ishte shpallur në kërkim pasi në vitin 2023 transportonte 18 emigrantë të paligjshëm sirianë.
Në muajin mars 2023, braktisi automjetin me të cilin transportonte në aksin rrugor “Tuneli-Morinë”, 18 sirianë, kapet dhe vihet në pranga 21-vjeçari i shpallur në kërkim.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, si dhe i shkëmbimit të tyre me strukturat e Policisë së Kukësit, Komisariati i Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve e DVP Shkodër, lokalizoi në Shkodër, kapi dhe vuri në pranga shtetasin F. L., 21 vjeç.
21-vjeçari, me masë sigurie “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata e Kukësit, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, u shpall në kërkim në muajin mars të vitit 2023, në kuadër të operacionit “Kalimashi”, sepse braktisi automjetin me të cilin u konstatua duke transportuar në aksin rrugor “Tuneli-Morinë”, 18 emigrantë nga Siria, të cilët synonin të kalonin ilegalisht, kufijtë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


