Blerje votash për PSD në Kukës, arrestohet një person, shpallet në kërkim kryeplaku i fshatit Lusen

Aktualitet

Blerje votash për PSD në Kukës, arrestohet një person,

Shtetasi Kalosh Peposhi dhe Gazmend Peposhi jane vendosur nen akuze nga SPAK pasi tas forca zgjedhore ka zbuluar se ata ndanin para ne fshatrat e Kukesit kundrejt votave per partine e Tom Doshit.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr.83/2025 për veprën penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal.

Procedimi penal u regjistrua mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës. Nga të dhënat e siguruara rezulton se një grup personash, përmes veprimeve aktive u kanë premtuar dhe ofruar shuma monetare disa shtetasve në Qarkun Kukës, duke i kërkuar të votojnë për një subjekt të caktuar politik, pjesëmarrës në zgjedhjet e 11 Majit 2025.

Në datën 10.05.2025, në orën 22:00, gjatë një operacioni të SPAK dhe Drejtorisë Vendore të Policisë së Kukësit u bë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit K.P. Këtij shtetasi iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale shumat monetare; 205.500 lekë të reja dhe 525 euro, një aparat celular (Iphone) dhe një automjet (Mercedes Benz).

Në kërkim është shpallur shtetasi Gazmend Peposhi, me detyrë kryeplak i fshatit Lusen, Kukës dhe po punohet për kapjen e tij.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasit Gazmend Peposhi dhe Kaklosh Peposhi, janë përfshirë me veprime aktive, duke u premtuar dhe ofruar shuma monetare shtetasve votues në njësinë administrative Ujmisht, në fshatrat Lusen, Matranxhë, Bushtricë të rrethit Kukës, për të votuar në favor të subjektit politik, Partia Social Demokrate (PSD), subjekt pjesëmarrës në zgjedhjet për Kuvendin 2025, duke kryer elementë të veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të  Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme po vijon hetimet për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë penale personat, të cilëve morën shumat monetare, në këmbim të votave të tyre për subjektin politik.

ME TE LEXUARAT