BE pret që qeveria e re maqedonase të jetë stabile dhe e përkushtuar

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut duhet të punojë për zbatimin e reformave të nevojshme për vazhdimin e procesit të anëtarësimit në Bashkim Evropian (BE), tha të enjten ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer.
Diplomati evropian theksoi se blloku beson në formimin e një qeverie stabile, e cila do t’i përkushtohej detyrimeve që ka marrë, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.
“Ne presim formimin sa më shpejt të një qeverie stabile. Ajo që duam të shohim, pas formimit të qeverisë është që ekzekutivi i ri t’i përvesh mëngët dhe t’i zbatojë reformat që kërkohen në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi Geer.
Shkupit i kërkohet prej kohësh të bëjë ndryshime kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues. Këto ndryshime janë kusht për nisjen e bisedimeve ndërmjet tij dhe Brukselit për anëtarësim në BE.