Asgjësohen mbi 3000 bimë kanabis në Shkodër, procedohen dy kryetarë fshatrash dhe një roje mjedisi

Policia e Shkodrës ka vijuar operacionin e koduar “Koordinata”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia në disa zona, janë asgjësuar 3,126 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.
Në kuadër të këtij operacioni janë proceduar penalisht dy kryetarë fshatrash dhe një roje mjedisi, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Sipas njoftimit të policisë, operacioni përfshiu njësitë administrative Shalë, Pult, Shosh, Ana e Malit, Kastrat, Kelmend, Temal dhe Shllak.
Njoftimi i Policisë:
Qarku Shkodër/Vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë kontrolleve në territor, u gjetën dhe u asgjësuan 3126 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Procedohen penalisht, për shpërdorim të detyrave, 2 kryetarë fshatrash dhe 1 rojë mjedisi.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
-Në territorin e njësive administrative Shalë, Pult, Shosh dhe Ana e Malit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 922 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Oblikë, shtetasin S. P.;
-Në territorin e njësive administrative Kastrat dhe Kelmend, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan 1034 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Selcë, shtetasin A. D., dhe për rojën e mjedisit, shtetasin P. G.;
-Në territorin e njësive administrative Temal dhe Shllak, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 1170 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.
Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër.

