ARRSH publikon projektin e rrugës alternative për segmentin Librazhd-Prrenjas

Aktualitet

ARRSH publikon projektin e rrugës alternative për segmentin

Këtë të hënë Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH, për herë të parë ka bërë publik projektin e ri ku do të kalojë segmenti alternativ i aksit Librazhd-Prenjas.

Në një video e shpërndarë nga vetë ARRSH, bëhet e ditur se janë hartuar dhe miratuar masa për ndihmën e menjëhershme të situatës. Kjo përfshin ndërtimin e një segmenti alternativ 1.3 km përgjatë lumit Shkumbin, që do të vijojë përkrah hekurudhës, duke siguruar një kalim për automjetet dhe duke shmangur pjesët e rrezikshme të rrugës.

Për të realizuar këtë, janë ndërmarrë disa veprime të rëndësishme si, devijimi i rrjedhës së lumit për të shmangur ndikimin mbi infrastrukturën e rrugës, rregullimi i urës së dëmtuar dhe lehtësimi i ngarkesës në trupin e rrugës që ka pësuar rrëshqitje.

Sipas propozimeve paraprake, rruga alternative do të kalojë përgjatë rrjedhës së Lumi Shkumbin, paralel me trasenë hekurudhore ekzistuese. Paralelisht, rezultatet e analizave nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar do të përcaktojnë nëse ekziston mundësia e ndërhyrjes dhe rikonstruksionit edhe në segmentin e dëmtuar. Ndërkohë, vijon evakuimi i qindra metrave kub dhera dhe inertesh nga sipërfaqja e dëmtuar e shpatit në “Arrat e Gurrës”, me synim stabilizimin e masivit dhe rikthimin e ekuilibrit natyror të skarpateve.

Po ashtu, janë bërë ndërhyrje në bashkëpunim me Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST) dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) për demontimin e shtyllave të tensionit të lartë dhe të ulët, të cilat janë prekur nga rrëshqitja. Punimet janë koordinuar me Policinë e Shtetit, me qëllim menaxhimin dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit të mjeteve gjatë këtij procesi.

Kujtojmë se ky aks ka mbetur i mbyllur për disa ditë me radhë për shkak të shembjes së rrugës që prej datës 1 shkurt, gjë e cila ka sjellë probleme të shumta në trafikun rrugor.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion