Akuzat e Ahmetajt për “KAYO”, reagon ministri Nufi: Janë trillime, industria e mbrojtjes prioritet strategjik

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar për herë të parë ndaj akuzave të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj në lidhje me kompaninë “KAYO” dhe pretendimet për trafik armësh.
Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Nufi i ka cilësuar akuzat si “trillime”, ndërsa ka theksuar se zhvillimi i industrisë së mbrojtjes përbën një prioritet strategjik për Shqipërinë.
“Përkundër fantazisë, trillimeve dhe akuzave politike të faktorëve që duan të ushqejnë veten dhe të mbijetojnë në rrugën që kanë humbur, sot asgjë nuk e ndal faktin se zhvillimi i industrisë së mbrojtjes është një prioritet strategjik për Shqipërinë, prioritet i cili është në funksion të sigurisë kombëtare, ashtu edhe të angazhimeve tona si një vend anëtar i NATO-s”, u shpreh Nufi.
Duke folur për kompaninë “KAYO”, ministri bëri të ditur se aktualisht janë në zhvillim gjashtë sipërmarrje të përbashkëta me kompani ndërkombëtare. Ndër marrëveshjet e rëndësishme, ai veçoi bashkëpunimin me kompaninë italiane “Fincantieri”.
Sipas Nufit, industria e mbrojtjes nuk lidhet vetëm me sigurinë kombëtare, por mund të shërbejë edhe si një mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.


