Akt vandal në universitetin italian, fshihet fjala “femicid” nga pllaka kushtuar Ilaria Sulës

Një akt vandal është regjistruar në Universitetin e Salentos në Itali, ku është dëmtuar pllaka përkujtimore kushtuar Ilaria Sulës, studentes shqiptare 22-vjeçare e vrarë brutalisht në Romë nga ish-i dashuri i saj, Mark Samson.
Departamenti i Shkencave Humane dhe Sociale i universitetit (DISUS) reagoi menjëherë përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë veprim si “të papranueshëm dhe fyese ndaj kujtimit të Ilarias dhe të gjitha viktimave të dhunës me bazë gjinore”.
Në deklaratën zyrtare thuhej: “Ky gjest bie në kundërshtim të thellë me vlerat e respektit, përfshirjes dhe përgjegjësisë civile që frymëzojnë aktivitetin tonë të përditshëm. Lufta kundër dhunës gjinore është për ne një angazhim konkret, dhe ne do të vazhdojmë të promovojmë ndërgjegjësimin dhe edukimin përmes studimeve, diskutimeve dhe nismave të vazhdueshme".
Ngjarja ka prekur thellë edhe familjen e Ilarias. Babai i saj, Flamur Sula, ka shprehur dhimbjen dhe indinjatën përmes një deklarate publike: “Më vjen keq për Ilarinë… po ofendojnë kujtimin e saj dhe të vajzave të tjera të vrara si ajo. Jam pa fjalë. Për fat të keq, në këtë botë ka edhe njerëz të tillë.”
Ky akt ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe në rrjetet sociale, duke rikthyer në vëmendje rëndësinë e edukimit dhe ndërgjegjësimit për çështjet e dhunës ndaj grave dhe barazisë gjinore.


