Aksion i Policisë Rrugore në Vlorë, mbi 2 mijë gjoba në vetëm dy javë, 11 drejtues mjetesh nën hetim

Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore dhe pikat hyrëse-dalëse të qarkut Vlorë, me fokus rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.
Gjatë dy javëve të para të shtatorit, 11 drejtues mjetesh janë arrestuar ose proceduar penalisht. Dy prej tyre janë arrestuar për drejtim të mjetit në gjendje të dehur, tre janë proceduar për drejtim nën efektin e alkoolit, ndërsa gjashtë të tjerë për drejtim pa leje drejtimi.
Kontrollet kanë sjellë edhe një numër të lartë masash administrative. Janë vendosur 780 gjoba për parkim të gabuar, 720 për tejkalim shpejtësie dhe 404 për mospërdorim të kaskës mbrojtëse.
Po ashtu, janë ndëshkuar 56 drejtues për mospërdorim të rripit të sigurimit, 47 për parakalime të gabuara, 37 për xhama të zinj dhe 19 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit. Tetë masa janë vendosur për mosdhënie përparësie këmbësorëve, ndërsa 336 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore bën të ditur se monitorimi do të vijojë në akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, duke përdorur pajisje bashkëkohore për evidentimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit.


